Tollumbacet me azot vazhdojnë të jenë shqetësuese për moshën e re. Si pasojë e konsumimit të tollumbaceve me Azot, një 15-vjeçar ka shkuar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia Fier arrestoi në flagrancë për këtë rast shtetasit G. X., 60 vjeç dhe R. X., 27 vjeç, babë e bir, dhe shtetasi E. L., 24 vjeç, banues në Fier.
Sipas autoriteteve shtetasi R. X. kishte përshtatur katin e parë të lokalit për përdorim droge dhe në bashkëpunim me shtetasit G. X dhe E. L., iu shitnin adoleshentëve (nxënësve të shkollave 9-vjeçare), lëndë të rrezikshme për shëndetin (tollumbace me gaz Azot). Ky ambient i cili u bllokua nga Policia, reklamohej nga të arrestuarit, si vend ku fëmijët/adoleshentët luanin lojëra me kompjuterë.
Gjatë kontrolleve, këta 3 shtetas u kapën duke konsumuar lëndë narkotike cannabis sativa, në prezencë të klientëve të tjerë, në dhoma të përshtatura për këtë qëllim, në katin e parë të lokalit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një bombul me 50 litra azot, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, një mjet grirës për të, 250 tollumbace që shërbenin për t’i mbushur me Azot, 4 celularë, një pajisje elektronike për mbushjen e tollumbaceve me gaz dhe një pajisje për konsumimin e lëndës narkotike në formë tymi.
Këta shtetas dyshohet se prej disa muajsh, iu kanë shitur adoleshentëve, tollumbace me lëndë të rrezikshme për shëndetin e tyre kundrejt vlerës 350 lekë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
