Përdorimi botëror i qymyrit pritet të arrijë nivel rekord të të gjitha kohëve më 2024, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare për Energji, teksa viti që po lëmë pas sipas të gjitha gjasave do të jetë më i ngrohti i regjistruar në histori.

Pavarësisht thirrjeve për të ndalur djegien e lëndës fosile më ndotëse të njerëzimit që po nxit ndryshime klimatike, Agjencia ka thënë se pret që kërkesa globale për qymyr të arrijë shifra rekorde për të tretin vit rradhazi. Shkencëtarët kanë paralajmëruar se gazrat që shkaktojnë efektin serrë, që ngrohin planetin, duhet të reduktohen në mënyrë drastike, për të kufizuar ngrohjen globale, në mënyrë që të shmangen efektet katastrofike mbi tokën dhe njerëzimin.

 Më herët, në dhjetor, monitoruesi i klimës i Bashkimit Evropian, Copernicus, tha se viti 2024 “thuajse sigurisht” do të ishte më i nxehti në histori, duke thyer rekordin e vënë nga viti i kaluar. Raporti “Qymyri 2024” i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, i publikuar të mërkurën, parashikon se bota do të arrijë kulmin e përdorimit të qymyrit më 2027-ën, ndërsa vetëm këtë vit ka kapërcyer shifrën prej 8.77 miliardë tonësh. Por, kjo do të varet nga Kina, e cila gjatë çerekshekullit të fundit ka konsumuar 30 për qind më shumë qymyr sesa pjesa tjetër e botës bashkë.

Kërkesa në rritje e Kinës për energji ka qenë faktori më i madh që qëndron pas rritjes së përdorimit të qymyrit, ndërsa më shumë se një e treta e qymyrit të përdorur në botë është karbonizuar në termocentralet e saj. Rritja e kërkesës për qymyr në Kinë, si dhe në ekonomitë si India dhe Indonezia, minimizuan rënien e vazhdueshme në ekonomitë e avancuara. Megjithatë, kjo rënie është ngadalësuar në BE dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përdorimi i qymyrit atje pritet të ulet me 12 përqind këtë vit.

By admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *