Gazetari Artan Hoxha paraqitet në SPAK.
Ai ka mbërritur pak minuta më parë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Kujtojmë që Hoxha së bashku me gazetarin Elton Qyno u lanë në masën detyrim paraqitje pas hetimeve dhe operacionit të Prokurorisë që goditi bandën e Suel Çelës në Elbasan.
Suel Çela, thotë SPAK, ka synuar të manipulojë perceptimin publik për të inkriminuar rivalët e grupit Çopja, duke i paraqitur ata si të paprekshëm, me lidhje të mundshme me politikën. Për realizimin e këtij skenari, SPAK thotë se janë përdorur 2 gazetarët, ndaj të cilëve u caktua masa “detyrim paraqitje”.
“Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas Suel Çelës, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik” thotë SPAK”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.