Sot është ditëlindja e yllit të muzikës shqiptare Vaçe Zela që lindi më 7 prill 1939, në Lushnjë. Bashkia Lushnjë nuk ka organizuar asnjë aktivitet për këngëtaren e madhe lushnjare dhe shqiptare, është mjaftuar vetëm me një postim në rrjetet sociale. por janë qytetarët lushnjarë ata që nuk harrojnë, kur kujtojnë Vaçe Zelën të gjithë, pavarësisht moshës filliojnë të këndojnë këngët e saj. Ishte dhe është zëri i këtij qyteti, zëri i njerëzve të saj që e kujtojnë edhe sot me nostalgji.  

Ikona e skenës shqiptare e filloi karrierën në moshë të re me meloditë e para që i këndoi në shtëpinë e saj, në qendër të Lushnjës. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare në Lushnjë. Provoi të studionte në Liceun Artistik, por nuk ia arriti. Ndoqi gjimnazin “Qemal Stafa”, por talenti i saj shpejt do të binte në sy. U emërua fillimisht këngëtare në Estradën e Ushtrisë, më pas në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.

Në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962 kur ishte 23 vjeçe. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli Artist i Merituar në vitin 1973 dhe Artist i Popullit në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela jetoi me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor, ndërkohë që për jetën atje shkroi një libër.

Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: „Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.“

Vaçe Zela ndërroi jetë më 6 shkurt 2014, në Bazel, në Zvicër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *