Zvicra do të votojë këtë verë mbi një propozim nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) e ekstremit të djathtë për të kufizuar popullsinë e vendit në 10 milionë, një veprim që do të kërcënonte marrëveshjet kyçe me BE-në dhe, sipas kundërshtarëve, do të dëmtonte ekonominë e saj.
Qeveria tha të mërkurën se referendumi mbi iniciativën e SVP-së “Jo një Zvicre 10 milionëshe”, e cila kundërshtohet fuqimisht nga të dy dhomat e parlamentit dhe komuniteti i biznesit dhe shërbimeve financiare, do të mbahet më 10 qershor
Iniciativa do ta detyronte qeverinë dhe parlamentin zviceran të vepronin nëse popullsia e përhershme e vendit prej 9.1 milionësh tejkalon 9.5 milionë duke u mohuar hyrjen të sapoardhurve, përfshirë azilkërkuesit dhe familjet e banorëve të huaj.
Nëse popullsia arrin 10 milionë, do të hyjnë në fuqi kufizime të mëtejshme dhe nëse numrat nuk fillojnë të bien, qeveria do të detyrohet të tërhiqet nga marrëveshja e lëvizjes së lirë që ka me BE-në, tregu i saj më i madh i eksportit.
Popullsia e Zvicrës është rritur rreth pesë herë më shpejt se mesatarja në shtetet anëtare të BE-së përreth gjatë dekadës së fundit, pasi suksesi i saj ekonomik ka tërhequr si punëtorë me kualifikim të ulët ashtu edhe emigrantë të korporatave me paga të larta.
Rreth 27% e banorëve zviceranë nuk janë shtetas, sipas shifrave qeveritare. SVP, partia më e madhe politike e vendit, thotë se “shpërthimi i popullsisë” po rrit qiratë dhe po e tendos infrastrukturën dhe shërbimet publike deri në pikën e thyerjes.
Partia, e cila ka përfunduar e para në çdo zgjedhje që nga viti 1999, ka bërë fushatë prej kohësh kundër imigracionit, duke nxjerrë në pah krimet e kryera nga të huajt dhe duke postuar imazhe të thikave të përgjakshme, kriminelëve me kapuç, grushteve dhe grave të frikësuara.
Ndryshimet radikale nacionaliste që ajo propozon shpesh, të tilla si një propozim i vitit 2016 për të deportuar automatikisht emigrantët e shpallur fajtorë edhe për vepra të vogla penale, dhe një plan i vitit 2020 për t’i dhënë fund lëvizjes së lirë me BE-në, në përgjithësi nuk kanë pasur rezultate aq të mira.
Sistemi i demokracisë së drejtpërdrejtë të Zvicrës u lejon qytetarëve të propozojnë të ashtuquajturat iniciativa popullore që i nënshtrohen një plebishiti nëse marrin 100,000 mbështetës në 18 muaj. Ato janë një mjet i preferuar prej kohësh i SVP-së, por vetëm rreth 10% e iniciativave popullore kalojnë.
Megjithatë, një sondazh në dhjetor zbuloi mbështetje të gjerë nga 48% e votuesve për iniciativën “Jo një Zvicre 10 milionëshe”, duke reflektuar ndjenja thellësisht të ndara rreth asaj se sa i hapur dëshiron dhe duhet të jetë vendi në një botë që ndryshon me shpejtësi.
