Zv/Kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi është i bindur: Pas shpërthimit në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit qëndron Serbia, e për këtë arsye, ajo nuk mund të bëhet pjesë e hetimit të krimit. Edhe pse Beogradi ka mohuar të ketë pasur rol në ngjarjen që ka tensionuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, Bislimi tha se “të gjitha informacionet që kemi çojnë në vetëm një adresë”.

Sipas zv/Kryeministrit, i cili është edhe kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ky incident i fundit rikonfirmon se Serbia nuk është e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe se vetëm ajo është përgjegjëse për ngecjen, pavarësisht nga kritikat perëndimore ndaj të dyja palëve.

Në 17 dhjetor është edhe takimi i radhës i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me të dërguarin Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorin e Serbisë. Bislimi mendon se ai nuk duhet të prodhojë pritshmëri qoftë në Bruksel qoftë në Prishtinë apo në Beograd. “Takimi po ndodh në një moment kritik për tre arsye. E para, kemi sulmin terrorist në kanalin e Ibër Lepencit. Kemi ardhjen e figurave të reja në Komision, të cilat do të jenë përgjegjëse për dialogun.

Dhe kemi shkuarjen e Lajçak, i cili e përfundon mandatin si emisar. Rrjedhimisht, kjo nuk është periudha më e mirë për të nisur diçka më të madhe, por edhe me gjasë nuk ka edhe gatishmëri nga pala serbe që të merremi seriozisht me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit, të vitit 2023”, thekson numri dy i qeverisë së Kosovës.

By admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *