Autoritetet shtetërore dhe të pavarura shprehën angazhimin e tyre për rritur transparencën e administratës publike dhe qasjen në informim.
Kryeministri Edi Rama dhe komisioneri Besnik Dervishi, i bënë këto komente në Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit, që u zhvillua në Tiranë.
Por përfaqësues të shoqërisë civile, pohuan në seksionet e kësaj konference, se, për të rritur transparencën duhet së pari vullneti politik i qeverisë dhe pavarësia e komisionerëve për të drejtën e infirmimit.
Ndërsa mikpriti në Shqipëri Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit, komisioneri shqiptar për të drejtën e Informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale tha se shoqëritë dhe teknologjia po shndërrohen me shpejtësi, duke lehtësuar mundësitë e informimit dhe duke vështirësuar mbrojtjen e të dhënave.
Por ai tha se transparenca dhe e drejta për informim duhet të mbizotërojnë, dhe për këtë nevojitet bashkëpunimi i akademikëve, agjencive dhe mediave me komisionerin.
Në konferencën me 210 delegatë e të ftuar, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, medias, botës akademike, mori pjesë përmes internetit edhe gjyqtari Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Darian Pavli.
Kryeministri Edi Rama shprehu angazhimin e qeverisë për të nxitur një kulturë transparence brenda institucioneve publike, me konsultime publike dhe ekspozim të informacionit, si një mjet mjaft efektiv kundër keqinformimit dhe dezinformimit.
Në raportin e Progresit të Komisioni Europian për Shqipërinë thuhet mes të tjerash se nuk ka përmirësim për sa u takon sulmeve verbale dhe fizike, fushatave denigruese dhe padive kundër gazetarëve.
Qeveria është duke përgatitur një udhërrëfyes për trajtimin e cështjeve në kapitujt 23 dhe 24 të për negociatat me BE-në, me rëndësi të madhe për median, ligjet dhe të drejtat themelore dhe fusha të tjera.