Ndërhyrja për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës vijon edhe sot me intensitet të lartë.
Që në orën 5:00 të mëngjesit kur filloi operacioni, Prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, ka qenë i pranishëm në terren për të ndjekur nga afër punën për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë një pjesë të Parkut Kombëtar të Prespës, operacion i cili edhe dje, nisi që në orët e para të ditës.
Rreth 50 forca nga shërbimi zjarrfikës i Bashkisë Pustec, stafi i Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, si dhe pjesëtarë të ushtrisë, kanë filluar ndërhyrjen herët në mëngjes për neutralizimin e vatrave aktive të zjarrit.
Terreni në zonën e përfshirë nga flakët paraqet vështirësi të konsiderueshme për shkak të pjerrësisë dhe thepisjes së tij, megjithatë siç u shpreh Prefekti Jole, forcat e angazhuara po punojnë maksimalisht për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit në pjesët ende të paprekura të kurorës së gjelbër të parkut, me synimin për të shuar të gjitha vatrat brenda ditës së sotme.
Gjendja e përgjithshme në territorin e qarkut është aktualisht e stabilizuar, si rezultat i ndërhyrjeve intensive të strukturave të Emergjencave Civile dhe monitorimit të vazhdueshëm në terren. Të gjitha vatrat janë neutralizuar dhe nuk paraqitet rrezik për përhapje të mëtejshme, megjithatë monitorimi do të vijojë pa ndërprerje për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm.
Në fshatin Strelcë, Nj.A. Gorë, Bashkia Maliq, zjarri është shuar plotësisht dhe vatra është neutralizuar. Vijon monitorimi nga forcat vendore.
Zona midis fshatrave Dishnicë dhe Barç, Nj.A. Bulgarec, Bashkia Korçë, zjarri është neutralizuar, situata është e qëndrueshme dhe monitorohet nga sektori i shërbimit pyjor.
Fshati Lajthizë, Bashkia Pustec-rruga Zvezdë-Goricë, vatrat janë aktualisht të neutralizuara dhe situata është nën kontroll. Tymësira e mbetur është brenda sipërfaqes së djegur dhe nuk paraqet rrezik për përhapje.
Monitorimi dhe ndërhyrja do të vijojnë deri në shuarjen e plotë të çdo vatre zjarri dhe garantimin e sigurisë së plotë në territorin e Parkut Kombëtar të Prespës dhe zonave përreth.
Prefekti i Korçës ka postuar gjithashtu edhe disa foto nga nisja e punës në mëngjes herët, mes efektivëve të forcave zjarrifikëse të Pustecit, stafit të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, si dhe pjesëtarë të ushtrisë