Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka konfirmuar në një konferencë për mediat nga selia blu se PD do të synojë të hyjë në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës përmes një koalicioni opozitar.
“Së pari, PD do bëjë përpjekje për të hyrë me koalicion në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës,” u shpreh Berisha. Ai theksoi se do të kërkohet bashkëpunim me të gjitha partitë që ndihen opozitare, ndërsa theksoi se çështja e kandidaturës do të jetë pjesë e një debati të brendshëm mes aleatëve.
“Nuk themi që ose të jetë kandidatura jonë ose s’ka koalicion, por të gjithë janë të vetëdijshëm që zëri kryesor në koalicion do të jetë PD,” tha Berisha, duke nënvizuar rolin udhëheqës të forcës që ai drejton.
Ai shtoi se pas konsultimeve me aleatët, do të prezantohet edhe kandidati për bashkinë, duke theksuar se Partia Demokratike “nuk ka vetëm një, por disa kandidatë të shkëlqyer” dhe se nuk ka asnjë problem me gjetjen e emrit përfaqësues.
