Një gjykatë federale apeli vendosi se zoti Donald Trump nuk gëzon imunitet nga hetimi për akuzat për përpjekje për përmbysje të rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020, duke bërë që ish-presidenti të ndodhet edhe një hap më pranë një procesi të pashembullt gjyqësor penal.
Trupa e përbërë nga tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit për Qarkun e kryeqytetit Uashington, refuzoi pretendimet e ish-Presidentit Trump se nuk mund të hetohet për veprime që lidhen me përgjegjësitë e tij zyrtare.
Vendimi, të cilin ka shumë të ngjarë që zoti Trump ta apelojë, hedh poshtë përpjekjet e tij për të shmangur gjyqin lidhur me akuzat se ka minuar demokracinë amerikane dhe transferimin e pushtetit. Vendimi vjen në një kohë kur ai po forcon pozitat e tij si kandidati kryesor për të fituar emërimin e Partisë Republikane në garën presidenciale të nëntorit.
Avokatët e tij thanë se ish-presidentët gëzojnë mbrojtje të gjerë ligjore dhe se nuk mund të hetohen penalisht mbi veprime zyrtare, në rast se më parë nuk janë gjetur fajtorë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe larguar nga detyra me vendim të Senatit.