Policia ka dokumentuar plotësisht ngjarjen e rëndë me armë zjarri që ndodhi një ditë më parë në lagjen nr. 3 të Sarandës, ku dy shtetas mbetën të plagosur. Hetimet e deritanishme kanë çuar në shpalljen në kërkim të katër personave, mes tyre edhe autori i dyshuar i të shtënave.
Sipas burimeve zyrtare, të shpallur në kërkim janë Erjon Canaj, Artan Murtaj, Klaus Jaçaj dhe Ramadan Zoto. Ky i fundit dyshohet se ka qenë personi që ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy shtetasve, Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj, duke i plagosur rëndë të dy. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit mes palëve.
Pas të shtënave, të plagosurit u transportuan me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Gjatë hetimeve dhe kontrolleve të kryera nga policia, në trupin e Gëzim Hajdarajt u gjet një armë zjarri pistoletë e tipit “Beretta” me një krehër që përmbante 9 fishekë. Për këtë arsye, ai është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.
Sipas policisë, konflikti nisi për motive të dobëta mes katër shtetasve nga Saranda dhe dy të rinjve nga Tirana, Gëzim Hajdaraj, 33 vjeç dhe Ernest Lama, 25 vjeç, që përfundoi në përplasje fizike dhe më pas në përdorimin e armës së zjarrit nga Ramadan Zoto, i cili i plagosi rëndë të dy.
Aktualisht, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve. Në vendin e ngjarjes u sekuestruan gjithashtu katër gëzhoja të armës së zjarrit, arma e sekuestruar dhe municionet përkatëse.
Sakaq, policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e katër të shpallurve në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Sarandë për veprime të mëtejshme.