Gazetari Osman Stafa ka zbardhur diskutimet me dyer të mbyllura në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, mbajtur dy ditë më parë. Gjatë fjalës së tij Gazment Bardhi u shpreh se dy temat që do të diskutohen ishin ajo për marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për emigrantët, dhe së dyti aksioni i opozitës.
Ndërkohë Sali Berisha është shprehur se deri më tani kanë arritur shumë me aksionin, por duhet të bëjnë kujdes me përjashtimet, dhe se Bardhi nuk duhet të përjashtohet. Po ashtu gjatë fjalës së tij, Berisha ndalet tek çështja e tij me drejtësinë, teksa thotë se gjyqtarja Irena Gjoka ka gënjyer për vettingun dhe se, ai do të vazhdojë t’i bëjë gjyq publik Edi Ramës.
Ndërsa PS ka deklaruar se për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare nuk janë dakord me objektin e hetimit, Ervin Salianji ka propozuar që të rikompzojnë kërkesën.
Po ashtu ai thotë se “gjykata pezulloi ëndrrat e disave për të qenë përfaqësues të PD dhe ne si përfaqësues të PD-së duhet të riparaqesim kërkesën për t’iu hequr çdo alibi!”. Deputeti Agron Gjekmarkaj, ka propozuar që të zgjidhet një përfaqësi nga opozita për të ‘sqaruar ndërkombëtarët’.
Propozimin për dërgimin e marrëveshjes në Kushtetuese, e mbështetën shumica e deputetëve, por Tritan Shehu e ka kundërshtuar. Xhelal Mziu i është drejtuar Shehut duke ti thënë se duhet të jenë një zëri të gjithë për këtë marrëveshje.
Ndërkohë deputeti i PD, Tomorr Alizoti, ka deklaruar se opozita duhet të protestojë dhe të ngrejë zërin fuqishëm për të kundërshtuar marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë, për emigrantët.