Aktorja kanadeze Carrie Anne Fleming, e njohur për rolet e saj në seriale të njohura televizive si iZombie dhe Supernatural, ka ndërruar jetë në moshën 51-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga përfaqësuesi i saj për People, i cili bëri të ditur se aktorja ishte diagnostikuar më parë me kancer të gjirit. Sipas të njëjtave burime, ajo ndërroi jetë në paqe, e rrethuar nga familjarët dhe të dashurit e saj.

“Ishte një privilegj i madh të njihja Carrie-n. Ajo ishte një shpirt i bukur, e sjellshme dhe një frymëzim. Do të na mungojë shumë,” thuhet në deklaratën e përfaqësuesit. Humbja e saj ka prekur edhe kolegët. Aktori Jim Beaver, me të cilin ndau ekranin në serialin “Supernatural”, reagoi në rrjetet sociale duke e kujtuar si një person plot jetë dhe mirësi.

“Ajo ishte një burim jete dhe mirësie, me një të qeshur ngjitëse dhe një personalitet tepër të dashur,” shkroi ai, duke e cilësuar si një “shpirt binjak” dhe duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e saj.

Carrie Anne Fleming lindi më 16 gusht 1974 në Nova Scotia dhe më pas u zhvendos në British Columbia, ku ndoqi studimet për aktrim. Ajo ndërtoi një karrierë të pasur në televizion, film dhe teatër, duke u bërë e njohur veçanërisht për rolet në zhanrin horror, si në Masters of Horror, si dhe në filma si The Tooth Fairy dhe Bloodsuckers.

Aktorja lë pas një vajzë, Madalyn Rose.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds