Katër oficerë të forcave të rendit u vranë dhe katër të tjerë u plagosën në qytetin Charlotte të Karolinës së Veriut, dhe një i dyshuar u gjet i vdekur, tha policia lokale. Shefi i Departamentit të Policisë Charlotte-Mecklenburg, Johnny Jennings tha në një konferencë për shtyp se katër oficerët që u vranë ishin pjesë e një ekipi federal të përbërë nga oficerë të disa agjencive. “Sot është një ditë absolutisht tragjike për qytetin Charlotte dhe për organet e rendit”, tha shefi i policisë Jennings. “Sot ne humbëm heronj që punonin për të mbajtur komunitetin tonë të sigurt”, tha ai. Oficerët e vrarë kishin shkuar për të arrestuar një ish-të dënuar për armëmbajtje të paligjshme. Ata mbërritën në banesën ku ndodhej i dyshuari dhe ai hapi zjarr ndaj oficerëve, tha Jennings. Ata iu përgjigjën zjarrit duke vrarë të dyshuarin në oborrin e shtëpisë. Më pas në drejtim të oficerëve u hap zjarr edhe nga brenda shtëpisë. Pas një shkëmbimi të tensionuar zjarri që zgjati për tre orë, një ekip i forcave speciale SWAT hyri në shtëpi dhe arrestoi dy persona që ndodheshin brenda. Jennings tha se besohet se të paktën njëri prej tyre kishte qëlluar mbi oficerët. Përveç oficerëve të vrarë, Jennings tha se edhe katër pjesëtarë të Departamentit të Policisë Charlotte-Mecklenburg që shkuan në vendin e ngjarjes, janë plagosur. Një oficer është në gjendje kritike, tre të tjerët janë në gjendje të qendrueshme. Ky është një nga sulmet më vdekjeprurës mbi oficerët e rendit në SHBA, në dekada të tëra.