Vrasja e vëllezërve Ladimir dhe Gramos Kurtaj nga fshati Kurjan në bashkinë Roskovec ndodhur rreth një vit më parë është zbardhur dhe hetimet kanë përfunduar ditën e sotme. Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në Gjykatë dosjen ndaj autorit Altin Kuka si dhe 6 personave të tjerë, si bashkëpunëtorë që ndihmuan dhe fshehën krimin dhe armën.
Pak para krimit djali i autorit, Ervis Kukaj ka patur një konflikt fizik me djemtë e Gramoz Kurtaj dhe ka qëlluar me pistoletë drejt tyre. Pas komunikimit telefonik, dy vëllezërit Ervis Kukaj dhe Emauris Kukaj janë takuar dhe ky i fundit i ka treguar ngjarjen.
Armën e zjarrit, automatik luftarak i modelit 56, me të cilën Altin Kukaj ka qëlluar viktimat, Ervis Kukaj e kishte lënë në kasollen përbri pularisë me qëllim për ta marrë më vonë Emauris Kukaj. Ky i fundit, pasi ka marrë armën e zjarrit, automatik luftarak, ka shkuar në vendin ku ndodheshin viktimat, ka frenuar menjëherë para lokalit të tyre, ka marrë armën dhe ka mbushur karikatorin e saj, duke nxitur babain e tij të qëllonte me breshëri drejt tyre.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, pas përfundimit të hetimeve janë dërguar në gjyq shtetasit A.K., E.K. dhe E.K për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ si dhe katër persona të tjerë për përkrahje të autorit të krimit e moskallëzim të krimit.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.1375 të vitit 2024, u provua se të pandehurit A.K., E.K., E.K., në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kryer vrasjen e shtetasve G.K. e L.K.
Gjithashtu, për të njëjtën ngjarje, Prokuroria ka marrë të pandehur dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes në gjyq të të pandehurve: T.Z., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, Y.K..akuzuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, R.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” dhe E.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit”.
