Vrasja e Santiago Malko
Këtë të martë u zhvillua seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme për Leonard Dukën, i akuzuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019 në Tiranë.
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se seanca vijon në mungesë të Leonard Dukës. Muhamet Duka, babai i të pandehurve, në cilësinë e dëshmitarit pranoi të dëshmojë përpara Gjykatës.
Avokatja: A e njihni shtetasin Santiago Malko?
Duka: Nuk e njoh dhe nuk kam patur asnjë konflikt. Mesa di unë as djemtë e mi nuk kanë patur konflikt. Nuk dijeninë time nuk e di nëse kanë patur probleme me Ervis Martinajn, unë nuk e njoh.
Prokurori: Aleksandër Maxhaku e njihni?
Duka: Është nipi im, djali i motrës, e thërrasim Leksi, Aleks varet. Kam shumë vite pa e takuar thuajse 6 vjet, nuk e di ku është. Dritan Again e njoh është nga vendi jonë, një stërmbesa jonë e ka burrë. E kemi deri diku tonin nuk është i huaj. Dritanin e kam parë djemtë e mi si çunat që rrinë. Oltion Lokën e kam parë, e njoh nga lagjja. Ai ka pas banuar në Shëngjergj. Olti i thërrisnin shkurt, nuk e di me kë rrinte nga çunat.
Fatmir Dogja, e kam dëgjuar në televizor. Ilir Selmani e kam dëgjuar në TV por si person nuk e njoh. Blendi Teta, nuk e njoh e kam dëgjuar në media. Shoqërinë e djemve nuk më ka rënë rasti ti njoh, unë merresha me tregti me biznesin tim, kam pasur një lokal timin te Fresku, punoja unë dhe nusja. Tani jam në pension. Leonardi ka patur punët e veta, me biznesin e tij, me këto lojërat e fatit. Nuk e di me kë bashkëpunonte, nuk i jam përzier në punët e tij ata janë të rritur.
Unë jetoj me bashkëshorten, ata jetonin vetëm me njëri-tjetrin. Ata rrinin me qira, nuk kam pas shkuar te ata, unë rrija në Fresk, ata vinin te ne. Unë i kam pas ndihmuar kur kanë qenë të vegjël kur u rritën filluan jetën e tyre. Kanë qenë të qetë, s’më ka trokitur njeri në derë. Nuk di asnjë gjë për shoqërinë e tyre. Në asnjë mënyrë nuk më ka ndaluar njeri në rrugë.
Kam vetëm 2 djem, nuk di ndonjë rast që ata të jenë plagosur. Asnjëherë në jetë nuk ka ndodhur që të më ketë thënë dikush gjysmë llafi. As më ka goditur njeri, asnjëherë.
Prokurori: Jeni në dijeni të një pajtimi mes disa djemve me mbiemër Mumajesi?
Duka: E kam dëgjuar si mbiemër, Revelino Mumajesi e kam parë si çun lagjeje. Unë e di që djali paguante tatimet në shtet, ishte i rregullt. E kam takuar shumë rrallë. Ervis Martinajn e kam dëgjuar, as e njoh as e kam parë asnjëherë, në media e kam dëgjuar. Edhe emrin e Santiago Malkos e kam dëgjuar në media.
SPAK: Duhet pak kohë për të përgatitur pretencën.
Gjykata lë 1 javë kohë për prokurorin për të përgatitur përfundimet. Seanca e radhës më datë 9 korrik, ora 10:00.