Vrasja e Klajdi Bitrit, djalit 23- vjeçar lushnjar në periferi të Ankonës, para rreth 2 vitesh na tronditi të gjithëve. Autoritetet italiane arrestuan autorin dhe nga hetimet kanë zbuluar motivet që çuan 28-vjeçarin algjerian, Fatah Melloul të vrasë të riun më 27 gusht 2023. Algjeriani goditi me pushkë peshkimi Klajdi Bitrin, si shenjë hakmarrje për grushtin që ai i dha gjatë konfliktit mes autorit, viktimës, vëllait dhe kushëririt të shqiptarit në një rrugë në zonën e Ankonës.

“Melloul qëlloi për të vrarë, duke çuar në përfundim një plan kriminal që e kishte formuluar në një moment qetësie pas goditjes me grusht nga viktima”, thotë avokati në arsyetimin e vendimit.

Gjykata ka theksuar se ajo që e shtyu 28-vjeçarin të vepronte ishte ndërhyrja e vëllezërve shqiptarë, dhe konkretisht, vëllai më i madh i Klajdit, i cili e goditi me grusht.

“I pandehuri, duke kuptuar se nuk mund të dominonte situatën për shkak se ata ishin më shumë, nuk reagoi dhe u drejtua drejt makinës së tij duke dhënë përshtypjen se po largohej. Por kjo ishte vetëm një fasadë, sepse qëllimi i tij ishte krejt i kundërt”, thotë gjykatësi.

Algjeriani është dënuar me 18 vjet burg për vrasje me dashje. Sipas gjyqtarit autori ka lënë të kuptohet sikur po largohej nga sherri duke ikur drejt makinës së tij, por e gjitha kjo ka qenë shtirje nga ana e tij. Pasi shkoi në makinën e tij, Melloul nxorri pushkën e peshkimit dhe qëlloi Klajdi Bitrin nga një distancë rreth 2.5 metrash, duke e goditur në gjoks dhe duke e lënë të vdekur në vend.

Ata argumentojnë se algjeriani mund të ishte larguar, pasi sherri kishte përfunduar, por ai zgjodhi të vriste të riun. Nuk kishte asnjë situatë rreziku që të justifikonte përdorimin e armës që Melloul kishte në makinë. Edhe e dashura e tij nuk tregoi aspak shenja paniku pasi ai kreu vrasjen, madje u përkul të merrte syzet që i kishin rënë partnerit gjatë përplasjes me viktimën dhe shokët e tij. Gjykata përjashtoi mundësinë që arma e krimit të ishte përdorur manualisht, sepse nuk do të kishte qenë e lehtë të goditej pa qenë e lidhur me pushkën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *