Gjykata e Apelit vendosi në seancën e sotme gjyqësore që të mos ndryshojë masën e sigurisë ndaj Gjon Shkambit, xhaxhait të autorit të vrasjes së gjyqtarit të kësaj gjykate, Astrit Kalaja, ngjarje kjo e ndodhur më 6 tetor.

Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit Elvis Shkambi që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja, do të rikthehej sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë, aty ku edhe ndodhi ngjarja e rëndë. Ai kërkoi masë më të butë sigurie nga arresti me burg dhe kërkesa e tij do të shqyrtohej në orën 10:00 në këtë gjykatë.

Po ashtu u shqyrtua  edhe ankimimi i bërë nga Banush Koxhaj, punonjësi i sigurisë në këtë gjykatë. Nipi 30-vjeçar, gjithashtu në paraburgim, nuk e ka apeluar vendimin për të kërkuar ndryshim të masës së sigurisë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 6 tetorit pasi gjyqtari Kalaja dha vendim kundër familjes Shkambi. Në këtë moment, 30-vjeçari ka nxjerrë armën të cilën kishte arritur ta fuste pa problem brenda ambienteve të gjykatës dhe ka qëlluar ndaj gjyqtarit, si dhe ndaj palës kundërshtare, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët mbetën të plagosur.

Prokuroria e akuzon Gjon Shkambin se kishte dijeni vetëm planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në gjyq dhe se kishte rolin e nxitësit në tentativën për të vrarë babë e bir për mosmarrëveshjet për pronën.

Punonjësi i sigurisë së gjykatës akuzohet për shpërdorim detyre pasi nuk lëvizi nga vendi edhe pse detektori sinjalizoi praninë e armës kur Gjon dhe Elvis Shkambi hynë brenda gjykatës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *