Partia konservatore e Kroacisë në pushtet mori sërish shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të së mërkurës, por jo mjaftueshëm për të formuar një qeveri, ndërsa numërimi shkon drejt përfundimit. Partia “Bashkimi Demokratik Kroat” e kryeministrit në detyrë, Andrej Plenkovic, fitoi 60 vende në asamblenë me 151 vende, treguan rezultatet nga më shumë se 90% e qendrave të votimit. Në zgjedhjet e mëparshme kjo parti fitoi 66 vende në parlament. Koalicioni i qendrës së majtë drejtuar nga Social Demokratët e presidentit Zoran Milanoviq fitoi 42 vende. Pjesëmarrja ishte 60 për qind, krahasuar me 47 për qind gjatë votimit të vitit 2020. Zgjedhjet u mbajtën pas një fushate të ashpër midis Plenkoviç dhe presidentit populist Zoran Milanovic, i cili bëri fushatë pavarësisht një paralajmërimi nga Gjykata. Përplasja erdhi ndërsa kombi i Bashkimit Evropian lufton me korrupsionin, mungesën e fuqisë punëtore, normën më të lartë të inflacionit në eurozonë dhe emigracionin e paligjshëm. “Bashkimi Demokratik Kroat për të tretën herë radhazi fiton bindshëm zgjedhjet elektorale”, i tha Plenkovic mbështetësve të tij në Zagreb herët të enjten. “Partia do të mbledhë një shumicë parlamentare në mënyrë që të formojë një qeveri,” u shpreh më tej ai. Tanimë sytë e kroatëve janë nga koalicioni që do përpiqet të formojë qeverinë e re. Partia e djathtë nacionaliste “Lëvizja e Atdheut” doli e treta në renditje duke fituar 14 vende. Analistët përllogarisin se ka një avantazh të madh në negociata, që mund ta kthejnë në faktorin kryesor në formimin e qeverisë së re. Një parti ultra-konservatore dhe një tjetër me agjendë të gjelbër fituan secila nga 11 dhe 10 vende. Të gjithë analistët i parashikojnë mjaft të vështira bisedimet për një qeveri të re, raporton agjencia e lajmeve franceze AFP.