Presidenti rus Vladimir Putin tha se Rusia nuk është kundër përfshirjes së Evropës në bisedimet Rusi-SHBA që synojnë gjetjen e një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë, por theksoi se Brukseli prej kohësh kishte refuzuar dialogun me Moskën.
Gjatë një interviste për televizionin shtetëror rus, Putini tha gjithashtu se presidenti amerikan Donald Trump po i qaset konfliktit Rusi-Ukrainë në mënyrë racionale dhe jo emocionale. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mbajtën një raund fillestar bisedimesh për Ukrainën javën e kaluar në Arabinë Saudite.
Ukraina dhe aleatët evropianë të Kievit nuk u ftuan, duke shkaktuar reagime të forta nga udhëheqësit e tyre. Presidenti rus Putin tha se ishte logjike që Evropa të merrte pjesë në bisedimet për zgjidhjen e konfliktit trevjeçar. “Pjesëmarrja e tyre në procesin e negociatave është e nevojshme.
Ne kurrë nuk e kemi refuzuar këtë, ne zhvilluam diskutime të vazhdueshme me ta”, tha ai duke shtuar se reagimet negative ndaj bisedimeve në Riad kanë qenë “emocionale dhe në kundërshtim me çdo lloj logjike”.
Udhëheqësi rus tha se ndryshimi drastik i politikës së Uashingtonit ndaj Ukrainës në mandatin e Presidentit Trump, duke përfshirë kritikat ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe sugjerimet se Kievi mund të mos rimarrë të gjithë territorin e humbur, nuk është bazuar në reagime emocionale. Presidenti Trump, tha ai, po vepron në mënyrë logjike dhe pa kufizimet e premtimeve ndaj Ukrainës, të bëra nga udhëheqësit evropianë.