Gjykata e Lezhës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Arben Gjergjin, 57 vjeç, dhe djalin e tij Arnold Gjergji, 22 vjeç, ndërsa ka caktuar “arrest shtëpie” për Gjon Dodën, 59 vjeç, punonjës i OSHEE-së.
Të tre u arrestuan dy ditë më parë në një operacion policor, pasi u zbuluan në një “shtëpi bari” në aksin rrugor Lezhë-Milot.
Sipas hetimeve, babë e bir kishin marrë me qira një objekt 3-katësh, të cilin e kishin përshtatur në katër ambiente të veçanta për kultivimin e bimëve narkotike. Ambientet ishin të pajisura me llamba speciale për rritjen e bimëve, si dhe me hapësira për tharjen e tyre, me qëllim përgatitjen për shitje.
Ndërkohë, roli i 59-vjeçarit, punonjës i OSHEE-së, po hetohet nga autoritetet, ndërsa vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm.
