Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të konstituohet edhe në tentativën e 23-të. As këtë të enjte nuk mori votat e mjaftueshme formimi i Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Nga 111 deputetë që ishin në sallë, 55 deputetë votuan për, një kundër dhe s’pati abstenim.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti sërish nuk pranuan të propozojnë emrat si dhe nuk morën pjesë në votim. Seanca u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit për të vazhduar me 31 maj në orën 10:30.

Dështimi për ta bërë Kuvendin e ri ka zhytur vendin në një ngërç politik duke e lënë atë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjithashtu dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të lëvizur përpara me krijimin e institucioneve.

Ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të kërkojë ndërrimin e emrit të kryeparlamentarit në mënyrë që të zhbllokohet Kuvendi. Procesi ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së votave të pamjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje, që doli forcë e parë nga zgjedhjet dhe është në koalicion me Guxo dhe Alternativën, nuk po arrin të sigurojë shumicën absolute prej 61 votash për të emëruar Albulena Haxhiun në postin e kryeparlamentares.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds