Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, në një deklaratë nga selia blu ka deklaruar se Bashkia e Tiranës po përballet aktualisht me një krizë serioze financiare dhe buxhetore, duke shtuar se janë shpërdoruar miliona euro nga taksat e qytetarëve.

“13 milionë euro më shumë janë shpenzuar vetëm për paga dhe shpenzime operative, për të mbajtur një administratë të fryrë dhe politikisht të kapur,” tha Teliti, duke akuzuar drejtuesit e bashkisë për keqmenaxhim të thellë dhe mungesë transparence.

Sipas tij, në 7 muajt e parë të vitit 2025, janë realizuar vetëm 35 milionë euro investime, ose vetëm 20% e planit të parashikuar për periudhën janar-korrik, çka ka çuar në stanjacion të projekteve infrastrukturore dhe përkeqësim të shërbimeve për qytetarët.

Programet kyçe buxhetore, sipas të dhënave zyrtare të përmendura nga Teliti, kanë një performancë shumë të ulët.

Ai shtoi se qeverisja në Tiranë po funksionon përmes emërimeve politike dhe propagandës, ndërkohë që komunitetet, sidomos në zonat periferike, vuajnë mungesën e shërbimeve bazë.

Deklarata:
Të nderuar qytetarë,

Tirana është sot pasqyra më e qartë e një qeverisjeje vendore të degraduar, të kapur nga interesa të ngushta politike, ku përfaqësimi është zëvendësuar nga emërimi, dhe transparenca nga arroganca.

Pasi dështuan me menaxhimin e territorit në kryeqytet, duke lejuar qëllimisht ndërtime pa leje dhe shkatërrimin e hapësirave publike, pasi braktisën procesin e rindërtimit dhe mashtruan qytetarët me propagandë e premtime boshe, Bashkia e Tiranës po përballet tani me një krizë të rëndë të qeverisjes së saj financiare dhe buxhetore.

Sipas të dhënave zyrtare të vetë bashkisë për 7 muajt e parë të vitit 2025, vihet re një shpërdorim flagrant i taksave të qytetarëve.
13 milionë euro më shumë janë shpenzuar për paga dhe shpenzime operative, për të mbajtur në këmbë një administratë të fryrë dhe politikisht të kapur.
Kjo administratë është rritur trefish në 10 vitet e fundit, pa asnjë reflektim mbi eficiencën apo nevojën për shërbim publik më cilësor.
Ndërkohë, investimet publike, thelbi i çdo qeverisjeje vendore që funksionon në shërbim të komunitetit, janë neglizhuar plotësisht.

Në këtë 7-mujor vetëm 35 milionë euro investime janë realizuar, që përbëjnë vetëm 20% të planifikimit për periudhën janar-korrik, duke lënë qytetarët pa infrastrukturë, pa shërbime dhe pa zhvillim.

Gjithashtu, të shumta janë programet kryesore buxhetore që kanë realizime të papranueshme. Konkretisht:
Mbrojtja nga zjarri dhe mbrojtja civile 19% realizim
Zhvillimi ekonomik vetëm 11%
Shërbime bujqësore dhe siguria ushqimore 34%
Ujitja dhe kullimi 9%
Rrjeti rrugor rural 18%
Planifikimi urban 13%
Strehimi 4%, strehimi social 5%
Arsimi bazë dhe i mesëm 38%

Këto shifra janë tregues i qartë i një administrate që nuk qeveris, janë dëshmi e një pushteti vendor që nuk ka as vizion, as vullnet, as legjitimitet për të çuar përpara interesin publik.

Tirana është kthyer në një qytet të shpenzimeve luksoze për propagandë dhe evente me miliona euro, ndërsa komunitetet në periferi dhe zonat rurale vuajnë mungesën e ujit, të kanalizimeve, të ndriçimit publik dhe të infrastrukturës bazë, përfshirë atë arsimore.

Partia Demokratike e konsideron këtë situatë të papranueshme dhe rikujton qytetarët dhe institucionet se qeverisja pa votë është uzurpim, jo demokraci.

Ndaj ne ritheksojmë kërkesën tonë të qartë:
zgjidhja e vetme për të rikthyer normalitetin dhe funksionimin demokratik në Bashkinë e Tiranës është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe.

Pa zgjedhje te lira, nuk ka zgjidhje!

Ju faleminderit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *