Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj ka bërë dilancin e 100 ditëve të fundit që ka kaluar në burg. Me anë të një postimi në Facebook, Veliaj ka theksuar se burgosja e tij është pa asnjë justifikim të arsyeshëm. Ndërkohë që ka shtuar se është duke u penguar që të kryejë detyrat e tij si kryetar i Bashkisë Tiranë. 

Në postimin e tij, Veliaj e ka quajtur vazhdimin e paraburgimit si një sulm ndaj tij dhe familjes së tij. Ndërkohë që në fund, Veliaj ka shtuar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, për të siguruar që të dalë nga burgu. 

Shumë të dashur miq, Sot bëhen 100 ditë nga burgimi im pa asnjë justifikim të arsyeshëm. Ndalimi im i padrejtë dhe arbitrar vazhdon, megjithëse nuk jam akuzuar për asnjë vepër penale. Si pasojë, po pengohem forcërisht nga ushtrimi i detyrave të mia si Kryetar i zgjedhur, me votë masive 3 herë, i Bashkisë së Tiranës. Vazhdimi i këtij paraburgimi nuk përbën vetëm një sulm ndaj meje dhe familjes sime, por është edhe një ndërhyrje e panevojshme dhe joproporcionale në përmbushjen e detyrave publike, që më janë besuar nga qytetarët e Tiranës. Pavarësisht burgimit mbetem i papërkulur. Çdo ditë që kalon, ma forcon edhe më shumë vendosmërinë. Angazhimi im ndaj Tiranës, ndaj jush, ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të ardhmes së Shqipërisë mbetet i palëkundur. Do të vazhdoj të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të siguruar lirimin tim, në mënyrë që të vazhdoj t’i shërbej qytetit tonë të mrekullueshëm si kryebashkiaku juaj. Me mall dhe dashuri për secilin prej jush!

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”. 

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të  kundërligjshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds