Forcat e armatosura të Ukrainës kanë deklaruar se kanë sulmuar me sukses një bazë ajrore në rajonin e Volgogradit, në Rusinë qendrore, duke shkatërruar katër avionë luftarakë Su-34.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi në Telegram të premten, ku thuhet se operacioni është kryer nga njësitë speciale të ushtrisë në bashkëpunim me Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe struktura të tjera ushtarake.
Sipas deklaratës, objektiv i sulmit ishte baza ajrore Marinovka, e cila ndodhet rreth 900 kilometra larg kufirit ukrainas.
“Sipas informacioneve paraprake, janë goditur katër avionë të tipit Su-34, si dhe struktura tekniko-operacionale ku riparohen dhe mirëmbahen aeroplanë të ndryshëm luftarakë,” thuhet në deklaratë.
Autoritetet ruse nuk kanë reaguar menjëherë lidhur me sulmin. Guvernatori i Volgogradit, Andrei Bocharov, konfirmoi se rajoni i Kalanchyovsky, ku ndodhet baza Marinovka, ishte një nga tre zonat e shënjestruara nga dronët ukrainas, ndërsa raportoi kufizime të përkohshme të trafikut në urën mbi lumin Don në të njëjtin rajon.
Nga ana tjetër, Ukraina vazhdon të përballet me sulme të rënda nga ana e Rusisë. Të paktën pesë persona humbën jetën dhe 25 të tjerë u plagosën nga një sulm me raketa në qytetin industrial të Samar në juglindje të vendit, po të premten.
Guvernatori rajonal Serhiy Lysak bëri të ditur se katër nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe janë dërguar në spital. Ky ishte sulmi i dytë në këtë qytet brenda tri ditësh, pasi të martën një tjetër sulm kishte shkaktuar vdekjen e dy personave në një objekt infrastrukturor.