Orë të vështira kanë qenë orët e mëngjesit të sotëm për fshatrat përgjatë rrjedhës së përroit të Lunjës në Lushnjë. Reshjet mbi 60 mm gjatë orëve të para të mëngjesit kanë bërë që përroi të dalë nga shtrati dhe të përmbytë toka të mbjella, sera dhe ka kaluar në nivelin mbi një metër nëpër urat e fshatit Karbunarë e Sipërme e po kështu Karbunarë e Poshtme.
Fadromat kanë shkuar në zonë në orën 6 të mëngjesit duke ulur ndjeshëm nivelin e lartë të ujit dhe duke mundësuar kalimin në ura të banorëve, ndërkohë që ka prezencë uji në oborret e banesave përgjatë rrjedhës së përroit. Në terren që në mëngjes ka dal edhe Kryetarja e bashkisë bashkë me Shtabin e Emergjencave dhe Përgjegjësin e Drejtorisë së Kullimit Fier.
Prezencë të lartë uji ka edhe në tokat bujqësore në zonën e ulët të fushës së Tërbufit, Dushk e Grabjan për shkak të reshjeve, ndërsa hidrovorët kanë punuar dhe vijonjnë të punojnë me kapacitet të plotë.
