Nëse Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) do të fliste, do të tregonte për valixhe të mbushura me ëndrra, biletat që na çojnë përtej horizonteve dhe pasionin e shqiptarëve për eksplorim. Me 7.2 milionë dalje të shtetasve shqiptarë nga vendi në janar-nëntor 2024, një rritje prej 14.7% krahasuar me vitin e mëparshme, është e qartë se udhëtimet janë kthyer në një pjesë të pandashme të stilit tonë të jetesës.

Sipas Wizz Air, operatorit ajror hungarez që zë më shumë se gjysmën e tregut të fluturimeve në vend, për 2 milionë pasagjerët që kanë udhëtuar nga Shqipëria me këtë kompani nga janari deri në nëntor 2024, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar vazhdojnë të dominojnë listën e destinacioneve më të preferuara nga shqiptarët. Ky trend është i njëjtë për të gjitha grupmoshat, duke reflektuar lidhjet e forta kulturore dhe ekonomike me këto vende.

Bazuar në numrin total të udhëtarëve, shqiptarët shfaqin një diversitet të gjerë në preferencat e udhëtimit sipas grupmoshës së tyre. Sipas Wizz Air, grupmoshat e reja, si 26-35 vjeç dhe 18-25 vjeç, përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të udhëtarëve, rreth 20.1% dhe 11.4% të totalit, respektivisht. Këto grupmosha shquhen për dëshirën e tyre për eksplorim dhe aventurë në destinacione të reja dhe të ndryshme kulturore.

Në anën tjetër, grupmoshat më të mëdha, si 46-55 vjeç (10.5%)  dhe 36-45 vjeç (13.8%), përbëjnë gjithashtu një pjesë të rëndësishme të udhëtarëve. Më e pakët ishin grupmoshat 55-65 vjeç dhe 66+ vjeç që përfaqësojnë vetëm rreth 8.7% dhe 7.3% të totalit të udhëtarëve, ndërsa grupmosha e panjohur përfshin një pjesë më të madhe, rreth 19.4%. Këto shifra tregojnë për një përqasje të ndryshme në udhëtime sipas grup moshës së udhëtarëve shqiptarë, reflektuar në zgjedhjet dhe preferencat e tyre në eksplorimin e botës.

Bazuar në të dhënat e Wizz Air për preferencat e udhëtimit sipas mënyrës së udhëtimit (vetëm ose me shoqëri), shqiptarët shfaqin një shpërndarje të ndryshme gjatë udhëtimit. Në total, rreth 38% e tyre udhëtojnë vetëm, ndërsa 62% preferojnë të udhëtojnë me shoqëri. Grupmoshat e reja, si 18-25 vjeç dhe 26-35 vjeç, kanë tendencë më të lartë për udhëtime vetëm, rreth 49% dhe 44% përkatësisht, ndërsa grupmoshat më të mëdha shfaqin një preferencë më të lartë për udhëtime me shoqëri, duke shkuar deri në 60%.

Për grupmoshën 18-25 vjeç, surprizat nuk mungojnë: Polonia, Holanda dhe Hungaria janë gjithnjë e më të popullarizuara, duke treguar interes për kulturat më pak tradicionale për shqiptarët. Nga ana tjetër, për ata mbi 55 vjeç, Greqia dhe Suedia mbeten ndër zgjedhjet kryesore, ndoshta për shkak të qetësisë dhe traditës mikpritëse që këto vende ofrojnë.

2025 Franca dhe Spanja pritet të ngjiten ndër destinacionet më të kërkuara

Ndërkohë që viti 2025 afrohet, rezervimet e bëra tashmë tregojnë një zhvendosje interesante në preferenca. Franca dhe Spanja pritet të ngjiten në top  të destinacioneve më të kërkuara, duke tërhequr udhëtarë me kulturën dhe arkitekturën unike, krahas Italisë, Gjermanisë e Mbretërisë së Bashkuar. Emiratet e Bashkuara Arabe, nga ana tjetër, janë gati të bëhen një nga destinacionet e preferuara të shqiptarëve, falë luksit dhe përvojave të jashtëzakonshme që ofrojnë.

Kur vjen puna te rezervimet, sipas Wizz Air, shqiptarët janë pragmatikë: 2/3 e tyre bëjnë rezervime mes 1 jave dhe 3 muajsh para nisjes. Të rinjtë 18-25 vjeç janë më të prirur të udhëtojnë vetëm, duke reflektuar një frymë më aventuriere dhe të pavarur. Ndërkohë, grupmoshat më të mëdha preferojnë të udhëtojnë në grup, duke zgjedhur sigurinë dhe komoditetin e shoqërisë.

Nëse shifrat na tregojnë diçka, është se shqiptarët po udhëtojnë më shumë se kurrë. Nga lidhjet tradicionale me Italinë dhe Gjermaninë deri te eksplorimi i destinacioneve të reja si Franca dhe Emiratet, udhëtimet po bëhen pjesë e identitetit tonë. Ato nuk janë thjesht një mënyrë për të shkuar diku tjetër – janë një portë drejt mundësive të reja, përvoja të paharrueshme dhe një hap më pranë botës.

Wizz Air kishte peshën më të madhe në tregun e fluturime në Aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, me 54.2% në periudhën janar-nëntor, sipas të dhënave zyrtare nga TIA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *