Udhëheqësit e BE-së, Antonio Costa dhe Ursula von der Leyen, u ftuan si të ftuar nderi për festimet e Ditës së Republikës së Indisë. Kjo vjen në një kohë kur marrëdhëniet tregtare Indi-BE pritet të forcohen mes tensioneve tarifore me SHBA-në.
India festoi sot 77-vjetorin e Ditës së Republikës në prani të udhëheqësve të BE-së, të cilët ishin të ftuar nderi.
Parada e Ditës së Republikës përfshinte një shfaqje të madhe të forcave të saj ushtarake, njësive të sapoformuara dhe sistemeve të mbrojtjes – të përdorura gjatë konfliktit me Pakistanin vitin e kaluar pas një sulmi në Kashmirin e administruar nga India.
Parada përfshinte gjithashtu banda ushtarake dhe njësi kalorësie me kuaj dhe deve.
“Ky rast na frymëzon në vendosmërinë tonë kolektive për të ndërtuar një Indi të zhvilluar”, tha kryeministri Narendra Modi para paradës.
Dita e Republikës u organizua rreth temës qendrore “150 Vjet Vande Mataram”, duke përkujtuar këngën kombëtare.
Çfarë thanë udhëheqësit e BE-së?
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishin të ftuarit zyrtarë në festimet e Ditës së Republikës.
Ata po marrin pjesë gjithashtu në një samit BE-Indi, ku pritet të njoftojnë një progres në marrëveshjen historike të tregtisë së lirë së bashku me një partneritet sigurie.
“Është një nder të jesh i ftuari kryesor në festimet e Ditës së Republikës. Një Indi e suksesshme e bën botën më të qëndrueshme, të begatë dhe të sigurt”, tha sot Von der Leyen në një postim në mediat sociale..
Ajo tha gjithashtu se India dhe Evropa kishin bërë “një zgjedhje të qartë”.
“Zgjedhja e partneritetit strategjik, dialogut dhe hapjes”, tha ajo.
“I nderuar që ndodhem në Nju Delhi për Samitin e 16-të BE-Indi, në prag të Ditës së 77-të të Republikës së Indisë. Duke festuar një partneritet të fortë dhe në rritje BE-Indi – nga tregtia dhe siguria te tranzicioni i pastër dhe bashkëveprimi dhe shkëmbimi i drejtpërdrejtë midis individëve ose grupeve”, tha Costa në një postim.
Marrëveshja ishte një punë në zhvillim e sipër për më shumë se një dekadë, por tarifat e presidentit të SHBA-së Donald Trump e nxitën Indinë dhe BE-në me 27 vende – të përshpejtonin përpjekjet e tyre vitin e kaluar.
India pritet të bëhet ekonomia e katërt më e madhe në botë këtë vit, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Tregtia e mallrave Indi-BE arriti në 120 miliardë euro në vitin 2024, një rritje prej gati 90% gjatë dekadës së fundit, sipas shifrave të BE-së.
Çfarë thanë liderët globalë?
Duke e uruar Indinë për ditën e 77-të të Republikës, presidenti kinez, Xi Jinping bëri thirrje sot për partneritete të forta rajonale midis fqinjëve të mirë, miqve dhe partnerëve.
Xi tha se gjatë vitit të kaluar, marrëdhëniet Kinë-Indi kanë vazhduar të përmirësohen dhe zhvillohen dhe se janë me rëndësi të madhe për ruajtjen dhe promovimin e paqes dhe prosperitetit botëror.
Presidenti francez, Emmanuel Macron gjithashtu përshëndeti Modin, duke e quajtur “mikun e tij të dashur”.
“Çfarë kujtimi i mrekullueshëm i Ditës së Republikës që ndamë së bashku në vitin 2024! Miku im i dashur Narendra Modi, urimet e mia më të mira në këtë ditë të madhe feste. Shihemi në shkurt për të vazhduar bashkëpunimin”, tha Macron.
