Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Artiol Saliasi si dhe drejtorin e Financës në këtë agjenci, Gëzim Sala, të cilët akuzohen për punësimin e paligjshëm të Muçi Shaljanit brenda kësaj agjencie. Prokuroria ka arritur në përfundimin se zyrtarët kanë anashkaluar ligjin duke punësuar Shaljanin si agjent të Mbikëqyrjes Policore.
Dy zyrtarët e lartë me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë konsumuar elemente të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”. Që në momentet e para të paraqitjes së kërkesës së shtetasit Muçi Shaljani, për punësim në AMP, kanë biseduar me njëri-tjetrin rastin e këtij shtetasi, duke kërkuar mënyra të anashkalimit të Ligjit organik, ku janë përcaktuar qartë fazat e rekrutimit në agjenci si krijimi i komisionit për vlerësimin e kandidaturës, testimet, verifikimet përfundimtare, vlerësimin e dokumentacionit të dorëzuar nga aplikanti deri në nënshkrimin e Urdhrit të punësimit.
Nga deklarimet e marra ndaj drejtuesve të strukturave në asnjë rast nuk dokumentohet as me shkrim dhe as verbalisht “nevoja emergjente”.
Prokuroria thotë se Shaljani u punësua me një procedurë të paligjshme, në një kohë shumë të shkurtër prej 7 ditësh nga dorëzimi i kërkesës. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Shaljani është paguar nga data 16 shtator deri më 11 nëntor, edhe pse nuk ka shkuar asnjë ditë në punë.
Nga hetimet e Prokurorisë, rezultoi se të pandehurit ishin të vetëdijshëm për procedurën ligjore dhe mungesën e kushteve dhe pavarësisht kësaj vijuan procedurën dhe futën në strukturë një person pa verifikim real dhe me dokumentacion të dyshimtë. Muçi Shaljani u vra në një atentat me armë zjarri në rrethrrotullimin e Rinasit më 12 nëntor 2025 bashkë me Gilmando Danin.
Njoftimi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.S., ish-Drejtor i Përgjithshëm i AMP dhe G.S., Drejtor i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimit mbi procedimin penal nr.8566 të vitit 2025, rezultoi se shtetasi M. S. i cili humbi jetën i qëlluar me armë zjarri në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Rinasit, pranë Aeroportit Nënë Tereza së bashku me shtetasin G.D, ishte emëruar në mënyrë të jashtëligjshme si punonjës i Autoritetit të Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë rezultoi se shtetasi M. Sh. u punësua në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në shkelje të Ligjit Nr.128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe të Rregullores “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”. Veprimet përgatitore dokumentare u kryen nga shtetasi G.S., në cilësinë e Drejtorit të Personelit dhe ato vendimmarrëse nga Drejtori i Përgjithshëm (i Komanduar) i kohës A.S.
Të dy këta shtetas me veprimet e mosveprimet e tyre kanë konsumuar elemente të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i K.Penal, pasi faktohet që në momentet e para të paraqitjes së kërkesës së shtetasit M. Sh. për punësim në AMP, kanë biseduar me njëri-tjetrin rastin e këtij shtetasi, duke kërkuar mënyra të anashkalimit të Ligjit organik Nr.128/2021 “Per Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe te Rregullores “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, ku janë përcaktuar qartë fazat duke filluar nga shpallja e vendeve vakante, krijimii i komisionit per vlerësimin e kandidaturës, testimet, verifikimet përfundimtare, vlerësimin e dokumentacionit të dorëzuar nga aplikanti (asnjë prej këtyre fazave nuk është aplikuar) deri në nënshkrimin e Urdhërit të punësimit i cili në përmbajtje të tij ka motivimin “për nevoja emergjente”.
Nga deklarimet e marra ndaj drejtuesve të strukturave në asnjë rast nuk dokumentohet as me shkrim dhe as verbalisht “nevoja emergjente” e ndonjë strukture që tregon se asnjë prej strukturave nuk ka patur apo kërkuar rekrutim punonjësish për nevoja emergjente të punës.
Shtetasi M.Sh., u punësua me një procedurë të paligjshme, në një kohë shumë të shkurtër (nga data 09.09.2025 kur u paraqit zyrtarisht kërkesa deri më datë 16.09.2025 që i janë lidhur marrëdhëniet financiare, në total 4 ditë pune, që tregon se nuk është aplikuar asnjë prej detyrimeve ligjore të shprehura në ligjin dhe rregulloren e AMP. Është paguar me rrogë të rregullt nga data 16.09.2025 deri në datë 11.11.2025 (data e ngjarjes në rrethrotullimin e Rinasit), pa u paraqitur asnjëherë në punë, apo zhvilluar ndonjë detyrë.
Nga hetimet rezultoi se të pandehurit ishin të vetëdijshëm për procedurën ligjore dhe mungesën e kushteve dhe pavarësisht kësaj vijuan procedurën dhe futën në strukturë një person pa verifikim real dhe me dokumentacion të dyshimtë.
