Prokuroria pranë Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, kërkon dënimin me 14 deri në 15 vite burgim për secilin prej tre shtetasve Albi Mecini, Arafat Manërkolli dhe Ervis Cukali, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin tentuan të transportonin 21 kg e 265 gr lëndë eksplozive në qytetin e Fierit dy vite më parë.
Të tre shtetasit janë hetuar e gjykuar në kuadër të procedimit penal nr.1070, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit
Nga hetimi dhe gjykimi i këtij procedimi penal rezultoi e provuar se, të pandehurit Albi Mecini, Arafat Manërkolli dhe Ervis Cukali, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datë 28.09.2023 kanë poseduar dhe transportuar 21 kg e 265 gr lëndë eksplozive në qytetin e Fierit.
Në diskutimet përfundimtare Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier kërkoi:
1 Deklarimin fajtor të të pandehurit Albi Mecini për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” e kryer me dhunë, dënimin e tij me bashkimin e dënimeve me 18 vjet burgim,
– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 12 vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ervis Cukali për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/6 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 14 vjet burgim;
– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 9 vjet 4 muaj burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Arafat Manërkolli për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/6 i K.Penal dhe dënimin e tij me 14 vjet burgim.
– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin e tij me 9 vjet e 4 muaj burgim.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra penale në fushën e narkotikëve, si dhe që gjatë ushtrimit të detyrës kryejnë veprime në kundërshtim me ligjin.