Disa prej autobusëve me qytetarë kosovarë të bllokuar prej më shumë se 13 orësh në kufirin me Kroacinë kaluan pikën doganore. Të gjithë udhëtarëve iu morën dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Qeveria e Kosovës njoftoi më parë se 10 pjesëtarë të policisë së Kosovës shqiptarë dhe serbë u ndaluan në Serbi për t’u marrë në pyetje, përfshirë zëvendës drejtorin nga radhët e komunitetit serb Dejan Jankoviç.

 “9 nga ata janë liruar ndërsa Zëvëndësdrejtori Jankovic ndodhet akoma në burg”, njofton Ministria e  Brendshme e Kosovës.  Ministria thotë se ka njoftuar institucionet e BE-së dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë. Gjithashtu këshillon qytetarët të shmangin kalimin përmes Serbisë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë justifikohet duke i quajtur kontrolle për të rritur sigurinë ndalimin e autobusëve nga Kosova, gjë që mund të shkaktojnë vonesa.

Bllokimi ngjalli reagime në Kosovë të cilët thanë se ky është një veprim hakmarrës i Serbisë pas votimit të së martës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i dha dritën jeshile anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shkroi në rrjetet sociale se Serbia po hakmerret ndaj qytetarëve duke i mbajtur peng në pikat kufitare, duke i frikësuar, konfiskuar dokumente dhe duke i privuar nga ushqimi. “Një njeri është përgjegjës për këtë: (Aleksandar) Vuçiç”, shkroi ajo.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti përmes rrjeteve sociale tha se ndalimi i qytetarëve në kufi është “shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut”.

Raportuesja për Kosovën në parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, i bëri thirrje Serbisë të ndalojë siç tha “së turpëruari veten” dhe menjëherë të lejojë qytetarët e Kosovës ta kalojnë kufirin.

“Duhet të sigurohet liria e lëvizjes së të gjithëve, pa diskriminim në bazë të kombësisë”, shkroi zonja Von Cramon në rrjetet sociale. Nga viti i kaluar Serbia ka njohur dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga Kosova.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds