Agjencitë dhe shoqatat turistike në Kosovë paralajmërojnë se nëse bizneset shqiptare të turizmit vijojnë me prirjen aktuale të rritjes së çmimeve, numri i vizitorëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të ulet vazhdimisht.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Ruzhdi Kurtishaj thotë se çmimet që aplikojnë shumica e bizneseve shqiptare, sidomos në bregdet gjatë periudhës korrik-gusht po largon pushuesit nga Kosova, që sipas tij, do të detyrohen që të pushojnë në Shqipëri gjatë muajve mars-qershor dhe shtator tetor, jashtë fluksit të sezonit, sepse korriku dhe gushti po bëhen të papërballueshëm.

Kurtishaj thotë se është thelbësore që të kuptohet nga operatorët dhe bizneset e turizmit në Shqipëri se shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut nuk janë turistë sezonalë, por janë të pranishëm në Shqipëri përgjatë gjithë vitit 12 muaj te vitit dhe kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme në hoteleri, gastronomi, transport dhe sektorë të tjerë.

“Nëse kjo kategori e rëndësishme e vizitorëve apo pushuesve ndjehet e përjashtuar apo e zhgënjyer për shkak të çmimeve të tepruara, pasojat nuk do të ndihen vetëm këtë verë , do të jenë afatgjata dhe të rënda për industrinë turistike shqiptare”, shkruan Kurtishaj.

Ai thotë se turizmi nuk mund të bazohet mbi çmime abuzuese dhe fitime të shpejta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *