Donald Trump deklaron se një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës mund të arrihet “brenda javës së ardhshme”.
Presidenti amerikan u tha gazetarëve në Zyrën Ovale se janë në kontakt me palët e përfshira”.
Njoftimi i tij vjen në kohën kur një raport tronditës pretendon se gati 100,000 palestinezë janë vrarë në luftën e Izraelit në Gaza, çka përfaqëson rreth 4 për qind të popullsisë së territorit.Duke cituar një artikull të të përditshmes izraelite Haaretz,
TrtGlobal, thotë se numri i të vdekurve është më i lartë se numri i viktimave të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, i cili ishte mbi 56,300 që nga tetori i vitit 2023.
Përveç vdekjeve të shumta të palestinezëve nga sulmet izraelite, mjaft njerëz vdiqën gjithashtu nga efektet indirekte të luftës, si uria, i ftohti e sëmundjet, pasojë e kolapsit të sistemit shëndetësor në Gaza.
Sipas të dhënave , 56% e të vrarëve kanë qenë ose fëmijë deri në moshën 18 vjeç, ose gra.
Vetëm në 24 orët e fundit, në enklavë humbën jetën 13 vetë, mes të cilëve dy të mitur, e dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite që kanë shënjestruar shkolla e tenda, ku strehoheshin palestinezë të shpërngulur nga pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës.
Burime mjekësore pohojnë po kështu se një foshnje tre-muajshe vdiq në Deir al Balah, për shkak të urisë në mesin e mungesës së qumështit formulë.