Tërmeti në tregjet e aksioneve nuk ka të ndalur, duke ngjallur frikën se bota mund të gjendet tashmë para një kolapsi të vërtetë ekonomik.
Tarifat e paprecedente doganore që Donald Trumpi vendosi ndaj shumicës së partnerëve tregtarë të SHBA i kanë bërë investitorët nervozë, me rrezikun e një lufte të madhe tregtare gjithmonë e më të pranishëm.
Kina deklaroi së fundi se do të qëndrojë e palëkundur përballë kërcënimeve të reja nga Trumpi. Ministria kineze e tregtisë përcolli mesazhin e qartë se çdo tarifë tjetër nga SHBA, do të shkaktonte “kundërmasa” shtesë që do të shënjestrojnë mallrat amerikane.
Lin Jian, zëdhënës i ministrisë kineze të tregtisë thotë: “Administrata Trump po bën shantazh. Nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të këmbëngulin në këtë gjë, Kina është e vendosur të luftojë deri në fund”.
Ministria reagoi edhe ndaj pretendimeve të Trumpit se tarifat e tij janë “reciproke”, duke i cilësuar ato të “të pabaza” dhe “një praktikë tipike bullizmi e njëanshme”.
Sipas analistëve, Kina mund të shpresojë të tërheqë jo vetëm mbështetje politike ndërkombëtare, por edhe vëllime shtesë tregtare nga partnerë të rinj, të cilët mund të kompensojnë një pjesë të humbjeve në Amerikë.
Azia është goditur shumë më rëndë se Evropa, me tarifa doganore prej më shumë se 40 për qind për disa. Kjo rrit presionin ndaj vendeve si Vietnami, Tajvani dhe Indonezia për të negociuar marrëveshje të reja tregtare me Uashingtonin.
Kina, të cilën Trump e goditi me tarifa shtesë prej 34 për qind, është e vetmja ekonomi e madhe që ka urdhëruar që vendosjen e tarifave doganore hakmarrëse për importet nga SHBA-ja. Pekini të premten vendosi tarifa doganore shtesë prej 34 përqind për mallrat amerikane dhe vendosi kufizime eksporti për disa minerale të rralla që nevojiten urgjentisht për produktet e teknologjisë së lartë dhe pajisjet e energjisë së pastër.
Këto tarifa hyjnë në fuqi në 10 prill. Përfaqësuesit e bankës amerikane JP Morgan thanë javën e kaluar se besojnë se mundësia e një recesioni global deri në fund të vitit është 60 për qind, krahasuar me 40 për qind përpara se të shpalleshin tarifat doganore gjithëpërfshirëse të Trumpit.
Banka gjermane Deutsche Bank paralajmëroi në një analizë të shkurtër se nëse Trumpi vazhdon me politikat e tij tregtare, tarifat e reja do të kenë “ndikime të mëdha mbarëbotërore në vitin 2025 dhe vitet dhe dekadat në vijim”.