Autoritetet kanë vërtetuar se lënda plasëse është hedhur me dron, por nuk ka ende gjurmë të autorëve. Mësohet se mbetjeve të dronit të shpërthyer do t’i bëhet ekspertiva për të zbuluar të tjera detaje.
Nga ngjarja e ndodhur pak ditë më parë në Tiranë me shpërthimin e ndodhur në katin e 9-të të një pallati në rrugën “Sadik Petrela”, kanë dalë në dritë të tjera detaje. Autoritetet kanë vërtetuar se lënda plasëse është hedhur me dron, por nuk ka ende gjurmë të autorëve. Mësohet se mbetjeve të dronit të shpërthyer do t’i bëhet ekspertiva për të zbuluar të tjera detaje.
Në dëshminë para hetuesve, pronari i banesës ka pohuar se apartamentin ia kishte dhën më qira një çifti, ndërsa ai vetë nuk kishte asnjë konflikt. Ndërkohë gruas që kishte marrë apartamentin me qira që në fund të korrikut, ende nuk i është marrë dëshmia pasi policia nuk ka mundur ta gjejë.
Policia ka nisur kërkimet për të gjetur personin e dyshuar si shënjestër teksa janë të bindur se Benard Sinomati ka qenë në banesë në momentin e shpërthimit. Benard Sinomati është objekt i atentateve disa herë në qytetin e Vlorës, por kësaj radhe grupi hetimor ka dyshime që rivalët e kanë gjurmuar edhe në Tiranë, duke tentuar ta eliminojnë me një metodë mjaft të rrezikshëm, që mund të kthehet edhe në një precedent po kaq të rrezikshëm për akte të ngjashme.
Bernard Sinomati është emër i njohur për policinë. Në vitin 2015 është arrestuar nga policia në Vlorë për armëmbajtje pa leje. Ndërsa rezulton i dënuar në Belgjikë, ku nga burgu ka dalë në vitin 2021.
Viktima Gëzim Sinomati është djali i Sokol Sinomatit ish-anëtar i bandës së Gaxhait në vitin 1997 në Vlorë. I njohur ndryshe me pseudonimin “Buzëderri”, Sokol Sinomati është i dënuar për vrasjen e ndodhur në 3 janar të vitit 2000, ku gjatë një tentative për të ekzekutuar Sokol Nuho, ka qëlluar gabimisht Luigj Xhafën, kalimtar të rastit.
