Joaquín Guzman Lopez, djali i baronit të famëkeq meksikan të drogës “El Chapo”, i cili po vuan dënimin në SHBA, ka pranuar fajësinë në një proces penal në Çikago për trafikim substancash të paligjshme dhe përfshirje në organizatë kriminale, sipas një raporti të Chicago Tribune.
Vëllai i tij, Ovidio Guzman, kishte pranuar fajësinë që në korrik për akuza të ngjashme. Të dy akuzohen se, së bashku me dy vëllezër të tjerë të shpallur në kërkim, vazhduan veprimtarinë kriminale të të atit, Joaquín “El Chapo” Guzman, ish-kreut të kartelit Sinaloa, i cili po vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Kolorado.
Joaquin Guzman Lopez, 39 vjeç, u arrestua në korrik të vitit 2024, sapo mbërriti në Teksas me një avion të vogël privat, së bashku me bashkëthemeluesin e kartelit Sinaloa, Ismael “El Mayo” Zambada.
Ky i fundit ka deklaruar se ishte mashtruar për destinacionin e udhëtimit, duke pretenduar se Guzmán López e kishte rrëmbyer për ta dorëzuar me forcë në duart e autoriteteve amerikane.
Edhe Zambada më pas pranoi fajësinë, duke shmangur kështu gjyqin, dhe dënimin me vdekje, të cilin autoritetet amerikane vendosën të mos e kërkojnë.
Arrestimi i dy figurave të rëndësishme të kartelit ka shkaktuar përplasje të ashpra mes dy fraksioneve rivale: grupit të “Chapitos” (djemtë e El Chapo-s) dhe atij të Zambadës. Sipas autoriteteve meksikane, këto përplasje kanë lënë të paktën 1.200 të vrarë dhe rreth 1.400 të zhdukur.
Uashingtoni akuzon kartelin Sinaloa për trafikimin e fentanilit drejt SHBA-së, ku opioidi sintetik tepër i fuqishëm ka shkaktuar mijëra viktima nga mbidozimi çdo vit, duke rritur tensionet mes dy vendeve fqinje.
Përveç fentanilit, të katër “Chapitos” akuzohen se kanë trafikuar tonelata kokaine nga Amerika Qendrore dhe Jugore drejt SHBA-së, sipas aktakuzës së publikuar në prill 2024.
Sipas dokumentit, ata “kanë korruptuar zyrtarë publikë”, “kanë urdhëruar, kërcënuar dhe kryer vrasje, rrëmbime, sulme dhe rrahje”, me viktima nga forcat e rendit, nga bandat rivale të trafikantëve dhe madje edhe anëtarë të vetë organizatës së tyre.
