“Tradita Myzeqare” në Fiershegan është një festë lokale që festohet për të dytin vit, ku u promovuan traditat e zonës së bashku me prodhimet e ndryshme bujqësore dhe kulinarinë. Aktiviteti i organizuar nga Bashkia Lushnjë tërhoqi vizitorë të shumtë vendas, por edhe të huaj të cilët vlerësuan prodhimet bujqësore, punimet artizanale, gatimet tradicionale, veshjet popullore të zonës dhe punimet artistike të fëmijëve të Njësisë Administrative Fiershegan që u ekspozuan në panairin tek sheshi përpara shkollës 9-vjeçare.
Muzika folklorike nën interpretimin e Ansamblit “Vaçe Zela” dhe artistëve të vegjël të QKF-së, shoqëruan festën që po kthehet në përcjellësen e traditave mes brezave dhe mbështetësen e promovuesen e prodhimit vendas.
Të pranishëm në aktivitet ishin Kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa, Ministri i Financave Petrit Malaj, deputetët e zgjedhur të PS-së Elton Korreshi, Kiduina Zaka dhe Asfloral Haxhiu fermerë, banorë dhe turistë të huaj.