Gjykata e Prishtinës ka shpallur fajtor dhe dënuar me 5 vjet burg dhe 5 mijë euro gjobë, Tomë Dodajn i cili akuzohet se i shiti për 280 euro Naim Murselit armën me të cilën u ekzekutua Liridona Ademaj.
Vendimi ndaj Dodajt u shpall në seancën e sotme gjyqësore nga gjykatësja Fatime Dermaku. Dodaj u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”. Gjykatësja Dërmaku tha se gjatë vuajtjes së dënimit Dodajt do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
“Gjykata, në bazë të dispozitave ligjore, të akuzuarit Tomë Dodaj i shqipton dënim me burgim për veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse.. i shqipton dënim me gjobë prej 5 mijë euro dhe dënim me burgim prej 5 vitesh”, tha gjykatësja.