Pak pas mesnatës qyteti i Lushnjës është tronditur nga një shpërthim që ka ndodhur në lagjen Gafurr Muça. Një sasi e vogël lënde plasëse është vendosur në murin e jashtëm të një banese në katin e parë të një pallati 5 katësh. Nga shpërthimi banesa në pronësi të shtetases Shaqe Gjata, e ëma e Klea Gjata ish e dashura e të dënuarit përjetë Laert Haxhiut, ka pësuar dëme të vogla materiale kryesisht xhama. Policia dhe grupi hetimor kanë dokumentuar ngjarjen për të zbardhur dinamikën dhe kapjen e autorëve.
Dyshohet se lënda plasëse është vendosur si një mesazh dhe jo për të kryer dëme të konsiderueshme.
Kujtojmë se emri i Klea Gjatës doli në media si e dashura e Laert Haxhiut, kur njëri nga anëtarët Artan Tafani, shfaqi pendesë dhe foli për Prokurorinë e Elbasanit.
Pas dëshmisë së tij, policia dhe prokuroria urdhëruan arrestimin e Klea Gjatës për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, për të cilën ka qëndruar 6 muaj në burg dhe iu sekuestrua një automjet tip “Benz”, me të cilin lëvizte herë pas here Laert Haxhiu, gjatë kohës kur ishte në kërkim.