Kapet dhe vihet në pranga një shtetas, pasi kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe mbrëmjen e djeshme, e kishte mbyllur atë në banesë, së bashku me familjarët, duke i kanosur se do t’i vriste, me mjet prerës (sëpatë).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit për një shtetas që kishte mbyllur në banesë, familjarët e tij (bashkëshorten me nipërit dhe mbesat), në rrugën “Pavarësia”, menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi R. S., 66 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi R. S., mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:30, në rrugën “Pavarësia”, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, e ka mbyllur atë në banesë, së bashku me nipërit dhe mbesat, dhe i ka kanosur ata me mjet prerës sëpatë, që të mos lajmëronin Policinë.

Mjeti prerës (sëpatë) u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *