Tirana ka mirëpritur ditën e sotme, (21 nëntor), samitin Growth Plan “Our pathway to EU”, ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, do të ndajnë diskutime për planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama deklaroi se plani i ri i rritjes për Ballkanin Perëndimor nuk është thjesht një itinerar drejt Brukselit, por një udhërrëfyes drejt lirive dhe mundësive të tregut evropian. Rama theksoi se qytetarët shpesh nuk e ndiejnë drejtpërdrejt procesin e integrimit, por përfitojnë përmes uljes së kostove, lirisë së lëvizjes dhe shërbimeve më të shpejta. Më tej Rama tha se Shqipëria nuk po kërkon lëmoshë, por po provon se është gati dhe po jap rezultate. Ndërsa komisionerja për zgjerimin Marta Kos, deklaroi se Europa nuk mund të jetë e sigurtë pa Ballkanin Perëndimor. Kos u shpreh se publikimi i paketës së re të zgjerimit të BE-së ka sjellë një dinamikë të re në procesin e anëtarësimit, duke hapur një fazë të re bashkëpunimi dhe angazhimi të ndërsjellë. Në fund Kos shtoi se sot ka ardhur për planin e rritjes, por do të vij së shpejti për të zbuluar disa pjesë të mrekullueshme të Shqipërisë. Samiti do të përmbyllet me një konferencë të përbashkët mes Ramës dhe komisioneres Kos.
