Aplikacioni kinez Tik Tok njoftoi se do të investojë 1 miliard euro për të ndërtuar një qendër të dhënash në Finlandë, disa ditë pasi Komisioni Evropian i vendosi një gjobë të rëndë për transferimin e të dhënave personale të evropianëve në Kinë.

Kompania, në pronësi të grupit kinez ByteDance, theksoi se kjo qendër të dhënash përbën një hap të rëndësishëm për të mbështetur angazhimin e saj ndaj sigurisë së të dhënave në Evropë. Javën e kaluar, BE vendosi një gjobë prej 530 milionë eurosh duke e akuzuar TikTok-un për dërgimin e të dhënave personale të qytetarëve evropianë në Kinë dhe mosgarantimin se autoritetet kineze nuk do të kenë qasje në to. TikTok ka lënë të kuptohet se do ta apelojë vendimin.

Aplikacioni popullor ka qenë nën shqyrtim nga qeveritë perëndimore për vite me radhë, pasi shprehen shqetësime se të dhënat personale që mbledh mund të përdoren nga Kina për qëllime spiunazhi ose propagande.

TikTok tha se planifikon të ndërtojë këtë qendër të dhënash në Kovola, në Finlandën juglindore, si pjesë e “Projektit Clover”, me një kosto totale prej 12 miliardë dollarësh. Kur projekti të përfundojë, të dhënat e përdoruesve evropianë të aplikacionit do të ruhen atje. TikTok theksoi se për shkak të infrastrukturës së saj dixhitale, energjisë së pastër dhe njohurive teknike, Finlanda është vendi ideal për këtë qendër të dhënash.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds