Thatësira e tejzgjatur ka shteruar mbi 200 puse uji në tre fshatrat Gjerbës, Selitë, Kapaj të njësisë administrative Fratar në Mallakastër. Mungesa e ujit prej më shumë se tre dekadash e ka kthyer përditshmërinë e banorëve në një makth të vërtetë. Në të tre fshatrat rrjeti ujësjellës nuk arriti kurrë të sjellë ujë në rubinetat e çesmave, ndërsa puset e hapura individualisht janë tharë. Banorët tregojnë vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë sidomos mbushjen ujë me hajvanë tek burimet që janë tre kilometra larg dhe pagesat e faturave deri në 7 milion lekë.

Banorët e fshatit Kapaj kanë tentuar të hapin puse deri në 130 metra, por kanë dështuar. Presim reshjet thonë ata të cilat ndikojnë shumë pak në furnizimin e puseve me ujë.

Të tre fshatrat janë tepër piktoreskë, me një pamje mahnitëse dhe shumë pranë liqeneve artificiale Lumare 1 dhe Lumare 2, dy veprave të mëdha ujore të ndërtuara në kohën e regjimit komunist ndërtimi i të cilave erdhi si pasojë e kërkesës për ujë në sektorin e bujqësisë. Mungesa e investimeve thonë banorët , na ka lënë në këtë situatë dëshpëruese e mbijetese, qê ka çuar në braktisjen masive të këtyre tre fshatrave. Ata apelojnë njëzëri për reagim nga strukturat përkatëse, pasi ndihen tërësisht të braktisur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *