Një 32-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi më shumë se dy muaj më parë tentoi të vriste një 21-vjeçar në Shkodër.
Si rezultat i informacionit të administruar në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, gjatë operacionit të koduar “Operacionalja 89”, u arrestua në Tiranë shtetasi E. K., 32 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, Shkodër. Ai dyshohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentativë, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
32-vjeçari akuzohet se më 16 janar 2026, në zonën e quajtur “Kryqëzimi i Vinotekës” në Shkodër, tentoi të vriste me armë zjarri A. M., 21 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Gjatë operacionit u arrestua edhe E. K., 27 vjeç, banues në të njëjtin fshat, i cili drejtonte automjetin tip “Audi” me të cilin lëvizte 32-vjeçari në zonën e “Freskut” në Tiranë. 27-vjeçari akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit”.
Automjeti është sekuestruar dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
