Administrata e Tatim-Taksave pranë Bashkisë Lushnjë ka nisur një aksion verifikimi në terren për kontrollin e vlefshmërisë së NIPT-eve të bizneseve që ushtrojnë aktivitet në territorin e bashkisë.
Ky aksion zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për hartimin e buxhetit vendor të vitit 2026 dhe ka si qëllim përmirësimin e bazës së të dhënave tatimore, garantimin e korrektësisë së regjistrimeve dhe rritjen e transparencës fiskale.
Gjatë kontrolleve, grupet e inspektimit po verifikojnë nëse bizneset janë të regjistruara në mënyrë të rregullt pranë organeve tatimore, nëse NIPT-et janë aktive dhe përputhen me aktivitetin real që zhvillohet në vend. Rastet e mospërputhjeve apo shkeljeve do të referohen për ndjekje sipas procedurave ligjore.
Sipas administratës tatimore të Bashkisë Lushnjë, ky proces është pjesë e një programi më të gjerë për forcimin e disiplinës fiskale dhe mbështetjen e bizneseve të ndershme, në mënyrë që çdo subjekt të kontribuojë në mënyrë të barabartë në zhvillimin ekonomik të qytetit.
Aksioni pritet të zgjasë gjatë gjithë nëntorit, ndërsa rezultatet përfundimtare do të përfshihen në analizën e të ardhurave për buxhetin e vitit të ardhshëm. Gjatë aksionit të inspektorëve të tatim taksave të bashkisë Lushnje edhe policia bashkiake është përfshirë duke mbështetur punën e tatimorëve.
