Fushata kualifikuese e Botërorit 2026 është thuajse e mbyllur, teksa tashmë të gjithë sytë janë nga shorti i fazës play off të enjten, më 20 nëntor, aty ku Shqipëria do të mësojë kundërshtarin e radhës.
Por një tjetër vëmendje të madhe do të marrë edhe shorti i fazës finale të Kupës së Botës, ku më 5 dhjetor në Uashington D.C. do të ndahen grupet.
Edhe pse janë edhe dy ndeshje për t’u luajtur, Shqipëria tashmë e di se në cilën vazo do të jetë nëse do të arrijë kualifikimin historik, dhe ajo është vazo 4.
Ndarja bëhet në bazë të renditjes së FIFA-s dhe, në bazë të saj, kuqezinjtë do të shortohen në vazon e fundit.
Nga ana tjetër, ekipet e vazos së parë janë të gjitha të konfirmuara: SHBA, Meksikë, Kanada (tre vendet organizatore), Spanjë, Argjentinë, Francë, Angli, Brazil, Portugali, Holandë, Belgjikë dhe Gjermani.
