Katër persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë plagosur në një sulm të armatosur dhe zjarrvënie në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në qytetin Grand Blanc, gjatë një shërbese të mbajtur të dielën paradite.

I dyshuari, Thomas Jacob Sanford, 40 vjeç, nga Burton, Michigan, hyri me makinë në ndërtesën e kishës rreth orës 10:25 të mëngjesit (ora lokale), hapi zjarr me një pushkë sulmi ndaj besimtarëve dhe më pas i vuri flakën ambientit. Ai u vra nga policia vetëm tetë minuta pas sulmit, në parkingun e kishës.

Sipas shefit të policisë së Grand Blanc Township, William Renye, dy nga viktimat humbën jetën nga plagët me armë zjarri, ndërsa dy të tjerë u gjetën më vonë pa jetë brenda godinës. Hetimet janë ende në vijim, pasi disa persona rezultojnë të zhdukur dhe kisha ka pësuar dëme të mëdha nga zjarri.

Sanford, një ish-pjesëtar i Korpusit të Marinës Amerikane, kishte përdorur benzinë si përshpejtues për të nxitur zjarrin në ambientet e brendshme të kishës, ku ndodheshin qindra besimtarë, përfshirë fëmijë. Policia dhe dëshmitarë okularë kanë theksuar “heroizmin” e disa anëtarëve të komunitetit që strehuan të vegjlit gjatë momentit të panikut.

Hetimi po udhëhiqet nga FBI, që ka angazhuar mbi 100 agjentë për të ndihmuar në mbledhjen e provave, kontrollin e banesës së të dyshuarit dhe analizën e të dhënave të telefonit të tij celular. Deri më tani, motivi i sulmit mbetet i paqartë, por autoritetet e kanë klasifikuar incidentin si një “akt dhune të synuar”.

Zëdhënës të Policisë Shtetërore të Michigan-it konfirmuan gjithashtu se po përballen me kërcënime të tjera me bomba në zona të ndryshme, të cilat janë pastruar dhe konsiderohen të sigurta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *