Konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e 693-të, me zhvillime të reja që kanë tronditur rajonin dhe opinionin ndërkombëtar.

Sipas disa mediave, Ahmed Ghaleb Al-Rahwi, kryeministri i qeverisë së rebelëve Huthi në Jemen, është vrarë të enjten në një sulm ajror izraelit në kryeqytetin Sana’a.

Lajmi është raportuar fillimisht nga gazeta jemenase “Aden Al-Rad”, sipas burimeve të cituara nga portali izraelit Ynet. Sulmi, që synonte një banesë në një zonë të banuar, ka pasur në shënjestër Al-Rahwi dhe zyrtarë të tjerë të lartë të lëvizjes Huthi, të cilët raportohet se ndodheshin aty në momentin e bastisjes.

Ndërkohë, tensionet mbeten të larta edhe brenda Izraelit. Familjet e pengjeve izraelite që mbahen në Rripin e Gazës kanë njoftuar një protestë masive më 3 shtator përpara rezidencës zyrtare të kryeministrit Benjamin Netanyahu në Jerusalem. Ato kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e menjëhershëm të të afërmve të tyre.

Protestat janë përballur me kundërshtimin e ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, i cili ka shprehur dëshirën për t’i ndaluar ato në rrugë dhe në ambiente fetare si sinagogat. Në anën tjetër, Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka deklaruar prerë se “nuk do të ketë plan” për krijimin e një shteti palestinez, duke forcuar qëndrimin e qeverisë izraelite ndaj kërkesave ndërkombëtare për zgjidhje me dy shtete.

Presioni ndaj Izraelit po rritet edhe në arenën ndërkombëtare. Në një letër të përbashkët drejtuar Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, Suedia dhe Holanda kanë kërkuar ndërmarrjen e masave konkrete kundër Izraelit për shkelje të të drejtave të njeriut.

Situata mbetet e paqëndrueshme, me konflikte që përfshijnë jo vetëm Gazën, por edhe zona të tjera të Lindjes së Mesme, si Jemeni, ku përplasjet po përhapen përtej kufijve tradicionalë të luftës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *