Nëse Qeveria e Serbisë nuk i shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri në mbrëmjen e 28 qershorit, “qytetarët do të jenë të gatshëm t’i marrin të gjitha masat ekzistuese të mosbindjes civile”.

Kështu paralajmëruan studentët protestues serbë, përpara tubimit të paralajmëruar në Beograd, për datën 28 qershor – ditën kur festohet Vidovdani, i cili në histori lidhet me Betejën e Kosovës, më 1389.

Kërkesë e dytë e studentëve është ndërprerja e protestës në qendër të Beogradit, ku kundërshtarët e studentëve protestues, të cilët e cilësojnë veten si “studentë që duan të mësojnë”, kanë ngritur kampe tash e tre muaj.

Një grup i studentëve protestues, që nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar, ka bllokuar shumicën e universiteteve shtetërore në Serbi, duke shprehur pakënaqësi me situatën socio-politike në këtë vend, pas aksidentit në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

Nga shembja e një strehe prej betonit atje, 16 persona kanë humbur jetën.

Që nga maji, kërkesë kryesore e studentëve në bllokadë është thirrja e zgjedhjeve të parakohshme, në mënyrë që qeveria e re të mund të punojë për përmbushjen e kërkesave të tyre të mëparshme.

Ato përfshijnë: publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, identifikimin dhe ndjekjen penale të atyre që kanë sulmuar protestuesit gjatë tubimeve në të gjithë Serbinë, lirimin e aktivistëve të arrestuar në protesta dhe ndërprerjen e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

Në anën tjetër, “studentët që duan të mësojnë” kanë ngritur kampe përpara Presidencës së Serbisë që nga fillimi i marsit, duke u kërkuar autoriteteve që t’i lejojnë të kthehen në universitete.

Ata janë vizituar disa herë nga vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe janë mbështetur edhe nga serbë nga Kosova, përfshirë anëtarë të Listës Serbe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds