Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë i drejtoi Këshillit të Lartë Gjyqësor të hënën një rezolutë me shqetësime dhe propozime lidhur me ngarkesën e stoqeve të dosjeve të prapambetura në gjykatat e Juridiksionit të Përgjithshëm, sidomos ato të kryeqytetit.
Në rezolutë kritikohen dhe akte nënligjore të KLGJ-së që përcaktojnë afatet procedurale, të cilat në situatën aktuale të rënduar konsiderohen të pazbatueshme dhe kërkohet pezullimi i tyre.
Sipas shoqatës, ngarkesën më të madhe po e përballojnë gjykata e shkallës së parë Tiranë, Gjykata e Apelit si dhe gjykatat administrative. Në rezolutë sillet në vëmendje se prej fillimit të vetingut të magjistratëve, nga viti 2018 e në vijim, këto gjykata dhe jo vetëm janë përballur me mbingarkesë të paprecedentë, të zgjatur në kohë, të shoqëruar me mungesë të theksuar të burimeve njerëzore, si në nivelin e gjyqtarëve ashtu edhe të administratës gjyqësore.
“Kjo situatë ka tejkaluar kufijtë e një vështirësie të përkohshme, duke cenuar drejtpërdrejt respektimin e parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, efikasitetin dhe eficiencën e administrimit të drejtësisë, si dhe perceptimin dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor. Kjo situatë është shoqëruar madje dhe me raste ekstreme të cenimit të jetës së gjyqtarëve, deri në rastin tragjik të kolegut tonë gjyqtar z. Astrit Kalaja,” nënvizohet në rezolutë.
Po ashtu, konstatohet se puna jashtë orareve zyrtare dhe gjatë fundjavave, ka cenuar rëndë mirëqenien fizike, psikologjike dhe sociale të gjyqtarëve dhe të stafit administrativ, duke krijuar kushte pune që bien ndesh me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare, për ushtrimin e pavarur dhe dinjitoz të funksionit gjyqësor.
Problemet e konstatuara
Në rezolutë renditen problemet e konstatuara, që nga mungesa e sigurisë në gjykata, ngarkesa tej normave dhe mënyrat e vlerësimit të gjyqtarëve. Konstatohet se kontrolli i personave që hyjnë në ambientet e gjykatave kryhet nga punonjës të patrajnuar, pa standarde të unifikuara sigurie, e të keqpaguar, duke mosplotësuar kështu kriteret për të kryer shërbimin e kontrollit në mënyrë efikase. Sipas Shoqatës së Gjyqtarëve, mungon ndarja funksionale e ambienteve të brendshme ndërmjet gjyqtarëve, stafit administrativ, palëve në proces dhe publikut. Po ashtu, evidentohet se në shumicën e ambienteve gjyqësore mungojnë pajisjet teknike të kontrollit të sigurisë, si detektorë metalikë, mjete skanimi, etj.. Tjetër problem që ngrihet për sigurinë, është dhe mungesa e personelit të dedikuar për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore në sallat e gjykimeve.
Lidhur me ngarkesën në punë, sillet në vëmendje të KLGJ-së se gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përballen aktualisht me një mesatare që tejkalon 1100 çështje për gjyqtar, si dhe theksohet fakti se kjo ngarkesë është sistematike prej më shumë 7 vitesh. Edhe për Apelin konstatohet se po përballet me një ngarkesë të lartë të çështjeve të prapambetura, duke e bërë të pamundur realizimin e standardit kushtetues të gjykimit brenda afateve të arsyeshme. Radha e shqyrtimit të ankimeve të zakonshme në këtë gjykatë është ende në vitet 2017–2018, ndërkohë që rreth 50 mijë dosje presin shqyrtimin.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve fajëson për këtë situatë organikën e paplotësuar të gjyqtarëve. Duke iu referuar një raporti të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD, vërehet se deri në fund të vitit 2022, për gjykatën e shkallës së parë, ka qenë e paplotësuar 52% e organikës që vijon të jetë e tillë. Për Gjykatën e Apelit, konstatohet se janë 32 gjyqtarë nga 78 që duhej të ishin.
“Kohët e fundit KLGJ-ja, me delegimin dhe ngritjen në detyrë të disa gjyqtarëve nga gjykata e shkallës së parë, ka rritur numrin e gjyqtarëve në këtë gjykatë, por efektiviteti i kësaj vendim-marrje mbetet për t’u vlerësuar në kushtet e mungesës së infrastrukturës me salla gjykimi, zyra gjyqtarësh dhe staf administrative mbështetës”, vëren shoqata.
Mungesa e stafit administrativ, e shoqëruar me mangësi në trajnimin e tyre profesional, në veçanti e sekretarëve dhe ndihmësve ligjorë, vlerësohet prej Shoqatës së Gjyqtarëve se ka sjellë vonesa procedurale dhe angazhim të gjyqtarëve në detyra administrative, në kundërshtim me natyrën e funksionit të tyre.
Transferimet e gjyqtarëve të kryera nga KLGJ-ja gjatë viteve të fundit konsiderohen se nuk kanë qenë produktive, pasi janë shoqëruar me ngritje në detyrë dhe lëvizje paralele të gjyqtarëve në gjykata të tjera. Ndërkohë, rishortimi i çështjeve të mbetura nga gjyqtarët e larguar ose të transferuar ka krijuar rritje të menjëhershme të ngarkesës për gjyqtarët e mbetur, duke i vendosur ata përballë një situate të vazhdueshme për gjykimin e çështjeve tej kapaciteteve të mundshme njerëzore dhe përballjen me presionin e palëve. Kjo, për arsye të pamundësisë së respektimit të afateve ligjore të gjykimit të çështjeve dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore.
Po ashtu, cilësohen jo efektive edhe transferimet nga një seksion në një tjetër brenda të njëjtës gjykatë, duke krijuar ngarkesda joporporcionale mes gjyqtarëve.
Tjetër problem që ngrihet është edhe mungesa e sallave të gjykimit, që vlerësohet se ka sjellë si pasojë cenimin e cilësisë dhe transparencës së procesve gjyqësore në raport me palët. Sillet në vëmendje situata në dodinën e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku mungojnë hapësirat e nevojshme për salla gjyqi, pasi ka vetëm tetë të tilla; se ka mungesë hapësire për arkiva, akomodim të gjyqtarëve dhe stafit ndihmës, mungesë të ambienteve të përshtatshme për avokatët, palët ndërgjyqëse, prokurorët, të paraburgosurit, si dhe për qytetarët.
Sipas Shoqatës së Gjyqtarëve, një vendim i pesë muajve më parë i KLGJ-së, për përcaktimin e afateve standarde minimale, parashikon kritere që, në kushtet aktuale të mbingarkesës strukturore, rezultojnë objektivisht të parealizueshme për një pjesë të konsiderueshme të gjykatave, veçanërisht për ato të Tiranës.
Vendimi parashikon mundësinë e gjykatave për të vendosur afate tej atyre të parashikuara në të, sipas specifikave të tyre, duke i deleguar kompetencën për të sanksionuar këto rregulla Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve, të secilës gjykatë. Por, sipas Shoqatës së Gjyqtarëve, ky mekanizëm krijon pabarazi në trajtimin e gjyqtarëve në shkallë vendi.
Në rezolutë konstatohet se këto rrethana sjellin trysni dhe presion ndaj gjyqtarëve; subjektivizëm në procesin e vlerësimit; rrezik për ushtrimin e pushtetit diskrecional nga organet vlerësuese dhe kontrolluese; si dhe dekurajim të ushtrimit normal të funksionit gjyqësor, për shkak të kritereve jo të qarta, jotranspartente dhe jo të unifikuara të vlerësimit të gjyqtarëve.
“Vendimi nr. 433/2025, shton klimën e trysnisë dhe presionit ndaj gjyqtarëve për të arritur afate jorealiste për kohën, dhe për pasojë cenon cilësinë e gjykimeve dhe në tërësi performancën e gjykatës”, citohet në rezulutë dhe kërkohet që në këtë situatë krize komplekse, për shkak të stokut të mbivendosur prej disa vitesh, KLGJ-ja duhet të gjejë mekanizma për të rritur kapacitetet në gjykata, në vend të implementimit të një akti nënligjor shumë të kontestuar paraprakisht nga trupa gjyqësore.
Sipas Shoqatës së Gjyqtarëve, ky vendim i KLGJ-së, nuk kontribuon në mbështetjen e gjyqtarëve dhe as në një menaxhim më të mirë të kohës gjyqësore, por në rritjen e presionit ndaj tyre, si dhe në cenimin e pavarësisë së brendshme. Në rezolutë, i bëhet thirrje KLGJ-së që të rishikojë këtë vendim dhe të merren në konsideratë opinionet e trupës gjyqësore, të bëra me dije më parë.
“Standardi 4-mujor për arsyetimin e vendimeve gjyqësore, i vendosur mbi bazën e raportit të ILD-së, të datës 29.09.2023, dhe i miratuar nga KLGJ-ja, nuk është proporcional dhe as realist në kushtet e një ngarkese pune të jashtëzakonshme, që ka filluar prej më shumë se shtatë vitesh dhe që vijon të jetë e tillë. Madje, kjo është konstatuar edhe nga KLGJ-ja në rastet e kërkesave të ILD-së për masa disiplinore. Presioni i vazhdueshëm për respektimin e këtyre afateve cenon pavarësinë funksionale të gjyqtarit dhe të sistemit gjyqësor, që duhet të garantohet jo vetëm ndaj pushteteve të tjera, por edhe brenda vetë sistemit”, argumenton Shoqata e Gjyqtarëve.
Kërkesa dhe propozime
Për sigurinë në gjykata, Shoqata e Gjyqtarëve kërkon rritjen e numrit të punonjësve të trajnuar dhe rritjen e trajtimit financiar të tyre; vendosjen e detektorëve dhe pajisjeve të tjera të kontrollit në hyrjet e gjykatave; krijimin i ambienteve të ndara dhe të sigurta për gjyqtarët dhe administratën gjyqësore; sigurimin i personelit për ruajtjen e rendit në sallat e gjykimit dhe krijimin e ambienteve të reja për salla gjykimi.
Për ngarkesën dhe menaxhimin e çështjeve kërkohet potësimi në mënyrë emergjente i vendeve vakante, përmes përshpejtimit të proceseve të vlerësimit të gjyqtarëve dhe mundësisht kryerjen e këtyre vlerësimeve përpara se gjyqtarët të hyjnë në proceset e ngritjes në detyrë apo të lëvizjeve paralele.
Në gjykatat e shkallës së parë propozohet mosshortimi i çështjeve të dorëzuar nga gjyqtarët për shkak të promovimit dhe lëvizjes paralele tek gjyqtarët aktualë të mbingarkuar, deri në emërimin efektiv të gjyqtarëve të rinj. Po ashtu, kërkohet përmirësimi i mekanizmave nënligjorë për të shmangur krijimin e ngarkesave në rast transferimi nga një seksion në një seksion tjetër brenda të njëjtës gjykatë.
KLGJ-së i kërkohet gjithashtu të marri masa për shtimin e stafit administrativ, veçanërisht të sekretarëve gjyqësorë, trajnimin e tyre për të përmirësuar nivelin profesional, shoqëruar me përmirësimin e trajtimit financiar.
Propozohet se implementimi i një sistemi të digitalizuar do të rriste ndjeshëm eficiencën dhe efektivitetin në menaxhimin e çështjeve gjyqësore.
Në lidhje me vlerësimin dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve, kërkohet përcaktimi i një ngarkese reale, objektive dhe të përballueshme çështjesh për çdo gjyqtar, si dhe garantimin e një ndarje të drejtë dhe të barbartë mes tyre, në shkallë gjykate dhe vendi.
Duke ju referuar përcaktimeve të afateve në vendimin nr. 433 të datës 22 korrik 2025, kërkohet të parashikohen rregullime në lidhje me standartet që normojnë veprimtarinë e gjykatave në një situatë të jashtëzakonshme ose pezullimi i zbatimit të tij, deri në përmirësimin e situatës përmes plotësimit të vakancave dhe arritjen e ngarkesë reale të punës së gjyqtarëve. Në rezolut kërkohet të mos zbatohet standardit 4-mujor për arsyetimin e vendimeve gjyqësore, përderisa vazhdon situata e jashtëzakonshme e ngarkesës në punë.
Tjetër propozim që shoqata i drejton KLGJ-së, është hartimi dhe zbatimi i një strategjie të unifikuar komunikimi institucional, me qëllim informimin transparent dhe objektiv të publikut mbi problemet reale me të cilat përballet aktualisht sistemi gjyqësor.
Në përfundim, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i kërkon KLGJ-së të ndërmarrë masa konkrete dhe të menjëhershme për trajtimin e probleme të konstatuara në rezolutë./ Reporter.al
